Një tërmet shkatërrues me magnitudë 6.9 goditi brigjet e qytetit Cebu në Filipine të martën mbrëma, pak para orës 22:00 me orën lokale, duke shkaktuar të paktën 60 viktima dhe qindra të plagosur. Lëkundjet e forta detyruan mijëra banorë të largohen nga shtëpitë e tyre, ndërsa shumë prej tyre kaluan natën jashtë në frikë nga pasgoditjet.
Qeveria provinciale e Cebu-s ka shpallur gjendje fatkeqësie natyrore dhe ekipet e emergjencës po punojnë për rikthimin e energjisë elektrike dhe dërgimin e ndihmave në zonat më të goditura.
Sipas agjencisë shtetërore të vullkanologjisë, që nga momenti i tërmetit janë regjistruar të paktën 611 pasgoditje, duke e bërë situatën edhe më të rrezikshme për banorët dhe ekipet e shpëtimit.
Spitalet janë tejmbushur dhe shumë pacientë, përfshirë edhe të plagosurit nga tërmeti, po trajtohen jashtë ndërtesave për arsye sigurie.
Kryepeshkopi i Cebu-s ka bërë thirrje që besimtarët të shmangin vizitat nëpër kisha derisa të bëhen vlerësimet strukturore të godinave. Kjo thirrje ka rëndësi të veçantë, pasi Cebu është një nga ishujt e parë të kolonizuar nga Spanja në shekullin e 16-të dhe ka një trashëgimi të pasur kishtare dhe kulturore. (A2 Televizion)