Rreth 1.98 milionë palestinezë në Gaza, ose 94% e popullsisë, kanë nevojë për ndihmë për strehim dhe për sigurimin e nevojave bazë familjare, sipas një raporti të ri të Shelter Cluster, të drejtuar nga Këshilli Norvegjez për Refugjatët (NRC).
Raporti tregon se gati dy të tretat e familjeve në Gaza jetojnë në tenda ose struktura të improvizuara, të cilat nuk janë të përshtatshme për qëndrim afatgjatë.
Situata e strehimit paraqitet veçanërisht e rëndë. Sipas klasifikimit të përdorur në raport, më shumë se katër në pesë familje përballen me kushte “kritike” ose “katastrofike” në vendstrehimet ku jetojnë aktualisht.
Vlerësimi i NRC-së është bazuar në 1,951 intervista me familje, të zhvilluara nga 14 deri më 28 qershor në zonat e arritshme të Gazës veriore, qytetit të Gazës, Deir el-Balah dhe Khan Younis.
Rafah dhe zona të tjera ku qasja ishte e pamundur ose konsiderohej e pasigurt nuk janë përfshirë në këtë vlerësim. (A2 Televizion)