Korridori sekret i SHBA në Hormuz, Amerika dërgon një tjetër anije lufte: ‘Ditë gjykimi’ në Iran!

Nga Xhevahir Qardaku
20 Gusht 2026, 19:36 | Bota

Në pritje të “ditës së gjykimit ekonomik”, Amerika dërgon një tjetër anije lufte pranë Iranit. Aeroplanmbajtësja USS George Washington mbërriti në Lindjen e Mesme dhe, sipas drejtuesve të ushtrisë së Shteteve të Bashkuara, ajo do të zëvendësojë USS Abraham Lincoln.

Kjo e fundit ka qëndruar në det për një periudhë të zgjatur, për shkak të luftës me Iranin. Zgjatja e këtij misioni ka ngritur shqetësime te shumë ligjvënës dhe familje të ushtarakëve, pas raportimeve për përkeqësimin e gjendjes së shëndetit mendor të ekuipazhit.

Më herët, presidenti amerikan Donald Trump shpalli ndaj Iranit atë që e quajti “D-Day ekonomik”.

“Askush nuk i ka dhënë Republikës Islamike të Iranit një mundësi më të madhe për të arritur një marrëveshje sesa unë. Fatkeqësisht për ta, ata kanë dështuar ta shfrytëzojnë këtë mundësi. Prandaj, sot po njoftoj OPERACIONIN EKONOMIK MË SHKATËRRUES TË NDËRMARRË NDONJËHERË KUNDËR NJË VENDI! Do të jetë luftë ekonomike dhe izolim në një shkallë të paprecedentë.

Trump paralajmëroi gjithashtu për pasoja ekonomike ndaj çdo vendi që i ofronte çfarëdo lloj ndihme jetike Iranit.

Ministri i Jashtëm iranian, Abbas Araqchi, i cilësoi komentet e liderit të SHBA-së si një përpjekje për të devijuar vëmendjen e opinionit publik amerikan nga problemet e brendshme financiare.

Ndërkohë, kufizimi i lëvizjes në Ngushticën e Hormuzit dhe kërcënimet ekonomike rritën çmimin e karburantit në bursa me 2%.

Sakaq, ushtria amerikane ka krijuar në heshtje një korridor transporti detar përmes Ngushticës së Hormuzit, për të siguruar kalimin e përditshëm të miliona fuçive me naftë, sipas agjencisë amerikane Axios News, e cila citoi dy zyrtarë amerikanë të mërkurën.

Operacioni, i cili ka vazhduar prej disa javësh, ka bërë të mundur që 15 deri në 20 cisterna çdo natë të përshkojnë një rrugë jugore përgjatë bregdetit të Omanit gjatë dy javëve të fundit.

Sipas zyrtarëve amerikanë, dërgesat ditore të naftës janë rritur vazhdimisht dhe tani i afrohen 10 milionë fuçive, ndërsa në disa net eksportet totale nga Gjiri kanë arritur në 15 deri në 20 milionë fuçi.

  (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos