Gjermania po forcon kapacitetet e saj për t’u mbrojtur nga dronët, ndërsa autoritetet paralajmërojnë se përballja me këtë teknologji mund të shndërrohet në një “garë armatimesh” mes sistemeve mbrojtëse dhe atyre që përpiqen t’i anashkalojnë ato.
Ministri i Brendshëm gjerman, Alexander Dobrindt, deklaroi gjatë një vizite në njësinë e aviacionit të Policisë Federale në Fuldatal se mbrojtja kundër dronëve do të jetë një detyrë e përhershme për Gjermaninë në vitet e ardhshme.
Njësia e posaçme e Policisë Federale për mbrojtjen kundër dronëve, e krijuar në dhjetor, aktualisht ka rreth 70 efektivë. Sipas autoriteteve, numri pritet të rritet në rreth 300 oficerë deri në fund të vitit.
Vendimi për zgjerimin e kapaciteteve vjen pas një incidenti të rëndë të regjistruar në fillim të gushtit në aeroportin Leipzig/Halle. Më 4 gusht, në zonën e sigurisë së aeroportit u zbulua një dron i pajisur me eksploziv dhe mekanizëm shpërthimi, pranë avionëve ukrainas të transportit.
Prokuroria Federale e Gjermanisë e ka cilësuar ngjarjen si një “sulm serioz ndaj infrastrukturës së transportit dhe logjistikës në Gjermani”.
Disa politikanë kanë shprehur dyshime për përfshirje ruse, por Dobrindt ka shmangur akuzat e drejtpërdrejta, duke theksuar se duhet pritur përfundimi i hetimeve.
Gjatë vizitës në bazën e Fuldatalit, pranë Kasselit, ministrit iu prezantuan edhe teknologji të ndryshme me dronë, të cilat përdoren për kërkimin e personave, monitorimin e linjave hekurudhore dhe identifikimin e zonave të prekura nga zjarret në pyje. (A2 Televizion)