Seria e re britanike “Adolescence”, që pasqyron jetën e një familjeje që shkatërrohet pas arrestimit të djalit 13-vjeçar, i cili akuzohet për vrasjen e një bashkëmoshatareje, ka ngjallur diskutime të shumta për ndikimin e kulturës së internetit dhe dhunës tek të rinjtë. Drama me 4 pjesë, që ka bërë bujë në Britani dhe SHBA, ka protagonist djalin e quajtur Jamie dhe pasojat e një akti tragjik, i cili është i ndikuar nga ide dhe influencues të dhunshëm të rrjeteve sociale.
Për krijuesit e shfaqjes, Jack Thorne dhe Stephen Graham, ky projekt ka për qëllim të shqyrtojë një fenomen të rritur të dhunës mes të rinjve, sidomos të rinjve të prekur nga ideologjitë mizogjine dhe kultura e internetit, si "manosphere" dhe "incel", të cilat kanë ndikim të thellë në psikologjinë e disa djemve të rinj.
Manopshere është një term i përdorur për të përshkruar faqet e internetit dhe forumet në internet që promovojnë mizogjininë dhe kundërshtimin ndaj feminizmit, ndërsa incelët - shkurt për beqar i pavullnetshëm, janë burra që fajësojnë gratë, sepse nuk janë në gjendje të gjejnë një partner seksual.
Thorne theksoi se ky problem po bëhet gjithnjë e më i pranishëm dhe që do të vazhdojë të përkeqësohet nëse nuk merret seriozisht.
"Kjo është një dramë për një fëmijë që bën gjënë e gabuar dhe shkakton dëm të madh. Për ta kuptuar atë, ne duhet të kuptojmë presionet mbi të. Jamie është ndotur nga idetë që ai dëgjon në internet, që kanë kuptim për të, që kanë një logjikë tërheqëse për të, që u përgjigjen pyetjeve për vetminë dhe izolimin e tij dhe e bëjnë atë të bëjë disa zgjedhje shumë të këqija. Unë dua që të shfaqet në shkolla, dua të shfaqet në parlament. Është vendimtare sepse kjo vetëm do të përkeqësohet. Është diçka për të cilën njerëzit duhet të flasin, shpresojmë se kjo është ajo që drama mund të bëjë," tha Thorne.
Graham, i cili luan rolin e babait të Jamie-t, shpjegoi se frymëzimi për këtë projekt erdhi pas disa raporteve të dhunshme që ai pa në lajme, ku djem të rinj kishin kryer krime të tmerrshme kundër vajzave. Ai shprehu shqetësimin se një ngjarje e tillë po bëhet më e zakonshme dhe kërkoi të kuptonte më shumë për arsyet që qëndrojnë pas këtyre akteve.
"Lexova një artikull në gazetë për një djalë të ri që kishte vrarë një vajzë të re dhe tre javë më vonë po shikoja lajmet dhe kishte një histori të një djali të ri që kishte goditur me thikë një vajzë të re për vdekje. Më lëndoi vërtet zemrën, thjesht mendova: "Çfarë po ndodh në shoqërinë ku një gjë e tillë po bëhet një dukuri e zakonshme?", deklaroi ai.
Drama thekson se një shoqëri, shkolla dhe familja mund të luajnë një rol të rëndësishëm në formësimin e jetës së një fëmije, duke i dhënë ose marrë mundësitë për të pasur një të ardhme më të mirë. Krijuesit e shfaqjes dëshirojnë që Adolescence të përdoret si një mjet edukativ, për të krijuar një diskutim të thellë mbi pasojat e këtyre ndikimeve dhe mënyrën se si mund të parandalohet përhapja e ideve të rrezikshme mes të rinjve.
Me një histori që mund t'i ndodhë kujtdo dhe një botë që duket gjithnjë dhe më e ndikuar nga rrjetet sociale dhe kultura e internetit, "Adolescence" është një thirrje për t'u angazhuar më shumë në mbrojtjen e të rinjve nga kërcënimet që mund të vijnë nga bota virtuale gjithnjë e më e pranishme. (A2 Televizion)