Ministri i Jashtëm rus, Sergei Lavrov, “bëhet i gjallë” pas një mungese që nxiti spekulime të shumta dhe zgjodhi të shfrytëzojë vëmendjen për një mesazh të fortë për Shtetet e Bashkuara.
Pas spekulimeve për një prishje të raporteve me Putinin, “skifteri” i politikës ruse u rikthye në publik për të paralajmëruar se Moska do të nisë testimet bërthamore nëse edhe Uashingtoni do ta bëjë diçka të tillë.
Ai tha se Rusia është gati të diskutojë shqetësimet amerikane mbi ato që Uashingtoni i quan aktivitete të dyshimta nëntokësore, ndërsa ritheksoi gatishmërinë e tyre për një takim Trump-Putin në Budapest, shkruan A2.
Më herët, Kremlini hodhi poshtë zërat për një krisje të mundshme të Presidentit Putin me Lavrov, pas telefonatës së këtij të fundit me Sekretarin e Shtetit, Marco Rubio. U përfol se dështimi i bisedimeve mes të dyve çoi edhe në anulimin e takimit mes Putin dhe Trump.
“I nominuari nga Trump për postin e Ndihmës Sekretar të Mbrojtjes për politikën dhe programet e parandalimit bërthamor, tha se vendimi i Trump-it për rifillimin e testeve bërthamore u udhëhoq nga arsye gjeopolitike dhe se ende nuk ka asnjë domosdoshmëri teknike për to. Kjo është një deklaratë shumë e fortë. Nuk e di nëse autori i kësaj deklarate, të cilin sapo e citova, e kupton seriozitetin e fjalëve të tij. Por, ne duhet ta kuptojmë këtë deklaratë në këtë mënyrë: siç kemi thënë tashmë, nuk ekziston asnjë domosdoshmëri teknike për lloje të tilla testesh. E çfarë mund të shërbejë si qëllim gjeopolitik për SHBA-të? Dominimi. Dhe nëse faktori bërthamor përdoret për këtë qëllim, kjo është shqetësuese. Ky është një devijim i rëndësishëm nga koncepti për të cilin ranë dakord Reagan dhe Gorbachov. Qëndrimi ynë parimor është shprehur tashmë nga Presidenti i Rusisë, Vladimir Putin, dy vjet më parë, në vitin 2023. Duke iu përgjigjur një pyetjeje përkatëse gjatë një prej fjalimeve të tij, ai tha se nëse ndonjë fuqi bërthamore kryen teste bërthamore, jo teste të sistemeve të dorëzimit apo teste nënkritike, edhe Rusia do të bëjë të njëjtën gjë. Ne jemi të gatshëm t’u përgjigjemi dyshimeve të kolegëve tanë amerikanë se po kryejmë ndonjë aktivitet të fshehtë nëntokësor bërthamor. Gjithashtu, jemi të gatshëm të diskutojmë me kolegët tanë amerikanë për rifillimin e përgatitjeve për samitin e liderëve të Rusisë dhe SHBA-së, të cilin ata e kanë propozuar fillimisht. Nëse dhe kur kolegët amerikanë rinovojnë propozimin e tyre dhe janë gati të nisin përgatitjet për një takim të nivelit të lartë që të japë vërtet fryte, Budapesti do të ishte vendndodhja e preferuar për ne”, u shpreh Lavrov. (A2 Televizion)
