Rreth 1 milion pa energji, stuhia polare po ngrin SHBA, raportohen viktima

Nga Xhevahir Qardaku
26 Janar 2026, 11:28 | Bota

Një stuhi e rrezikshme dimërore ka pushtuar Shtetet e Bashkuara. Të paktën shtatë persona raportohen të vdekur, ndërsa ka ndërprerje të energjisë elektrike për qindra mijëra shtëpi. Shkollat dhe rrugët në të gjithë vendin janë mbyllur dhe fluturimet janë anuluar, ndërsa kushtet “kërcënuese për jetën” shtrihen nga Teksasi në rajonin New England, sipas Shërbimit Kombëtar të Motit.

Të paktën dy persona humbën jetën nga hipotermia në Luiziana, dhe vdekje të tjera të lidhura me stuhinë janë raportuar në Teksas, Tenesi dhe Kansas. Më shumë se 900 mijë familje kanë mbetur pa energji elektrike, sipas raportimeve.

Ndërkohë, më shumë se 15 mijë fluturime u anuluan, raportojnë autoritetet. Bora e dendur, breshëri dhe shiu i ngrirë i përhapur gjerësisht, i cili është një fenomen i rrezikshëm ku pikat e ftohta të shiut ngrijnë menjëherë në sipërfaqe, mund të zgjasin me ditë të tëra dhe stuhia mund të prekë rreth 180 milionë amerikanë, më shumë se gjysmën e popullsisë.

Nju Jorku nuk ka parë të ftohtë si ky prej vitesh. Dhjetëra centimetra dëborë raportohen në shumë zona duke detyruar 22 shtete të shpallin gjendje të jashtëzakonshme.

Stuhia Arktike nuk duket se do të ikë lehtë. Mes të hënës dhe të mërkurës, parashikimi për qytetet kryesore në Bregun Lindor është i pamëshirshëm: bora do të vazhdojë të godasë shtëpitë dhe makinat, ndërsa temperaturat do të bien nën -15 gradë Celsius. Pikërisht në pritje të një termometri me të cilin shumë njerëz nuk janë mësuar, mbi njëzet guvernatorë kanë vendosur të veprojnë herët si masë paraprake.

Në Nju Jork, kryetari i bashkisë Zohran Mamdani ka urdhëruar shkollat të zhvillojnë mësimet online. Edhe Uashingtoni po përjeton një nga stuhitë më të mëdha të dëborës në një dekadë.

Vorbulla polare, një unazë erërash të forta perëndimore që formohen mbi Arktik çdo dimër që përmban një pellg ajri shumë të ftohtë, çoi në stuhinë e fuqishme, sipas ekspertëve të meteorologjisë. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos