Një tragjedi e rëndë ka ndodhur në Indi. Të paktën 30 persona rezultojnë të vdekur pasi një aeroplan i kompanisë “Air India” që udhëtonte për në Londër me 242 persona në bord u rrëzua pak minuta pasi u ngrit nga qyteti perëndimor i Indisë, Ahmedabad, shkruan A2 CNN. Numri real i viktimave pritet të shkojë në disa qindra. Avioni po shkonte drejt Aeroportit Gatwick, në jug të kryeqytetit britanik, tha Air India, ndërsa oficerët e policisë thanë se u rrëzua në një zonë banimi pranë aeroportit. "Ndërtesa në të cilën është rrëzuar është një konvikt mjekësh... ne kemi pastruar pothuajse 70% deri në 80% të zonës dhe do të pastrojmë pjesën tjetër së shpejti", u tha gazetarëve një oficer i lartë policie.
Një burim i tha Reuters se pasagjerët përfshinin 217 të rritur, 11 fëmijë dhe dy foshnje. Prej tyre, 169 ishin shtetas indianë, 53 ishin britanikë, shtatë portugezë dhe një kanadez. Avioni ishte një Boeing 787-8, një nga avionët më modernë të pasagjerëve në shërbim.
Ky është rrëzimi i parë për Dreamliner, i cili filloi të fluturonte komercialisht në vitin 2011, sipas bazës së të dhënave të Rrjetit të Sigurisë së Aviacionit. "Në këtë moment, po përcaktojmë detajet dhe do të ndajmë përditësime të mëtejshme”, tha Air India në X. “Të plagosurit po dërgohen në spitalet më të afërta”.
Rrëzimi ndodhi menjëherë pasi aeroplani u ngrit, raportuan kanalet televizive. Një kanal tregoi aeroplanin duke u ngritur mbi një zonë banimi dhe më pas duke u zhdukur nga ekrani përpara se një re e madhe zjarri të shihej duke u ngritur në qiell nga përtej shtëpive.
Sipas Flightradar24, të dhënat fillestare nga i ashtuquajturi sistem ADS-B, i cili ofron të dhëna mbi pozicionin, shpejtësinë dhe lartësinë çdo sekondë, tregojnë se avioni u ngjit në 625 metra - pas së cilës ra me një shpejtësi prej 475 metrash në minutë.
Aksidenti i fundit serioz ajror në Indi ndodhi në vitin 2010. Kur një aeroplan i Air India nuk arriti të ulej në aeroportin e qytetit jugor indian të Mangalore, 158 persona vdiqën; tetë pasagjerë mbijetuan.
Kryeministri indian Narendra Modi shprehu trishtimin e tij të thellë. "Tragjedia në Ahmedabad na ka lënë të tronditur dhe të trishtuar. Është jashtëzakonisht zemërthyes", shkroi Modi në X. Ai tha se ishte në kontakt me ministrat dhe autoritetet. (A2 Televizion)