Prag lufte në rajon, SHBA largon personelin e ambasadës në Irak

Nga Erjon Dervishi
12 Qershor 2025, 15:23 | Bota

Shtetet e Bashkuara kanë bërë lëvizjen e parë e cila tregon shenja të rritjes së tensioneve në Lindjen e Mesme. Me anë të një urdhri të posaçëm, Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, ka bërë të ditur se personeli amerikan po zhvendosej nga Lindja e Mesme sepse "mund të jetë një vend i rrezikshëm", duke shtuar se Shtetet e Bashkuara nuk do të lejonin që Irani të ketë një armë bërthamore.

Mediat ndërkombëtare bëjnë me dije se SHBA po përgatitet për një evakuim të pjesshëm të ambasadës së tyre në Irak dhe do të lejojnë personat në varësi ushtarake të largohen nga vendet përreth Lindjes së Mesme për shkak të rreziqeve të rritura të sigurisë në rajon, theksojnë burime diplomatike për Reuters.

Katër burime amerikane dhe dy irakiane nuk thanë se cilat rreziqe sigurie kishin nxitur vendimin por raportet për evakuimin e mundshëm shkaktuan rritjen e çmimet e naftës me më shumë se 4%, përcjell A2 CNN. Një zyrtar amerikan tha se Departamenti i Shtetit kishte autorizuar largime vullnetare nga Bahreini dhe Kuvajti, thekson Reuters.

Departamenti i Shtetit përditësoi njoftimin e tij për udhëtime në mbarë botën të mërkurën në mbrëmje për të reflektuar qëndrimin e fundit të SHBA-së. "Më 11 qershor, Departamenti i Shtetit urdhëroi largimin e personelit jo-emergjent të qeverisë amerikane për shkak të tensioneve të larta rajonale", tha njoftimi.

Vendimi i SHBA-së për të evakuuar një pjesë të personelit vjen në një moment të paqëndrueshëm në rajon. Përpjekjet e Trump për të arritur një marrëveshje bërthamore me Iranin duket se kanë ngecur dhe inteligjenca amerikane tregon se Izraeli ka bërë përgatitje për një sulm kundër objekteve bërthamore të Iranit. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos