Donald Trump ka aktivizuar nenin e cila lejon zbarkimin e marinsave amerikanë në rrugët e Los Anxhelos. Marinsat amerikanë do t'u bashkohen trupave të Gardës Kombëtare në rrugët e Los Anxhelos brenda dy ditësh, thanë zyrtarët amerikanë, dhe do të autorizohen të ndalojnë këdo që konfliktohet me oficerët e imigracionit gjatë bastisjeve ose protestuesit që përballen me agjentë federalë.
Presidenti amerikan Donald Trump urdhëroi vendosjen e trupave pavarësisht kundërshtimeve të Guvernatorit të Kalifornisë, Gavin Newsom, duke shkaktuar një debat kombëtar në lidhje me përdorimin e ushtrisë në tokën amerikane dhe duke nxitur protesta që janë përhapur nga Los Anxhelos në qytete të tjera të mëdha, duke përfshirë Nju Jorkun, Atlantën dhe Çikagon.
Los Anxhelos përjetoi ditën e gjashtë të protestave që kanë qenë kryesisht paqësore, por herë pas here të shoqëruara me dhunë, kryesisht të përmbajtura në disa blloqe të qendrës së qytetit, shkruan A2 CNN. “Nëse nuk do të veproja shpejt, Los Anxhelos do të digjej deri në themel tani”, tha Trump në një aktivitet në Qendrën John F. Kennedy për Artet Performuese.
Udhëheqësit shtetërorë dhe lokalë e kundërshtojnë këtë, duke thënë se Trump vetëm sa i ka përshkallëzuar tensionet me një vendosje të panevojshme dhe të paligjshme të trupave federale, ndërsa demokratët në nivel kombëtar e kanë dënuar veprimin e tij si autoritar. Ushtria amerikane tha të mërkurën se një batalion prej 700 marinsash kishte përfunduar trajnimin specifik për misionin e Los Anxhelosit, duke përfshirë deeskalimin dhe kontrollin e turmës. Ata do t'i bashkoheshin Gardës Kombëtare nën autoritetin e një ligji federal të njohur si Titulli 10 brenda 48 orëve, jo për të kryer polici civile, por për të mbrojtur oficerët dhe pronën federale, tha ushtria.
Ndërkohë, gati 400 persona janë arrestuar në Los Anxhelos që nga fillimi i protestave të premten, përfshirë 330 emigrantë pa dokumente dhe 157 persona të arrestuar për sulm dhe pengim të procedurës, përfshirë një për tentativë vrasjeje të një oficeri policie. Prokurorët federalë deri më tani kanë ngritur akuza për dy burra për hedhjen e koktejeve Molotov ndaj oficerëve të policisë në dy incidente të ndara. (A2 Televizion)