
Gjykata kushtetuese e Perusë ka rrëzuar dënimin me 15 vjet burgim që i ishte dhënë ish-Presidentit të vendit, pasi ai u shpall fajtor për korrupsion.
Ollanta Humala, i cili udhëhoqi vendin nga viti 2011 deri në vitin 2016, u dënua në vitin 2025 për pranimin e fondeve të paligjshme nga Presidenti venezuelian dhe kompania braziliane e ndërtimit Odebrecht për të financuar fushatat e tij zgjedhore në vitet 2006 dhe 2011.
Ish-Presidenti kishte thënë se do të apelonte kundër vendimit dhe tani gjykata kushtetuese e Perusë e ka shpallur të pavlefshme të gjithë procedurën penale kundër tij.
Sipas mediave lokale, Humala pritet të lirohet nga burgu Barbadillo në kryeqytetin Lima.
Pas vendimit, avokati i Humalës, Julio Espinoza Goyena, shkroi në mediat sociale se gjykata kishte vendosur që kontributet që klienti i tij mori në fushatat zgjedhore "nuk përbëjnë pastrim parash".
Ai tha: “Dhoma Penale që aktualisht po merret me çështjen duhet të urdhërojë pushimin përfundimtar të procedurave dhe LIRINË e ish-Presidentit Ollanta Humala”.
Kur Humala u dënua, edhe gruaja e tij Nadine Heredia u shpall fajtore për pastrim parash dhe u dënua me 15 vjet burg. Megjithatë, asaj iu dha kalim i sigurt për në Brazil pasi kërkoi azil në ambasadën braziliane. (A2 Televizion)