
Një zjarr i madh pranë Zonës 51, një prej objekteve më sekrete të Forcave Ajrore të Shteteve të Bashkuara në Nevada, vijon të përhapet prej gati një jave, ndërsa autoritetet kanë arritur të vendosin nën kontroll vetëm rreth 7% të sipërfaqes së përfshirë.
Sipas raportimeve, zjarri është shkaktuar nga një goditje rrufeje në zonën e njohur si Poligoni i Testimit dhe Trajnimit në Nevada (NTTR), një hapësirë ushtarake e mbyllur për publikun.
Përhapja e flakëve është favorizuar nga kushtet e vështira atmosferike, temperaturat e larta, erërat e thata dhe terreni i ashpër malor. Deri tani, zjarri ka përfshirë një sipërfaqe prej rreth 55 mijë hektarësh.
Autoritetet kanë vendosur një paralajmërim për temperatura ekstreme, i cili pritet të jetë në fuqi të paktën deri të dielën, ndërsa parashikimet meteorologjike nuk sinjalizojnë reshje në ditët e ardhshme.
Pavarësisht përmasave të zjarrit, deri tani nuk raportohet rrezik i drejtpërdrejtë për banesa apo zona publike. Megjithatë, në qytetin e vogël Rachel është lëshuar një njoftim për ndikimin e tymit.
Zona 51 konsiderohet një nga instalimet më të mbrojtura të ushtrisë amerikane. Objekti u krijua gjatë Luftës së Ftohtë për testimin dhe zhvillimin e avionëve ushtarakë dhe vazhdon të ruhet me masa të rrepta sigurie, përfshirë mbikëqyrje elektronike, tabela paralajmëruese dhe patrullime të armatosura.
Për dekada me radhë, misteri që ka rrethuar këtë bazë ka nxitur teori të shumta konspirative, veçanërisht pretendimet se aty mbahen prova për ekzistencën e alienëve dhe objekteve fluturuese të paidentifikuara. (A2 Televizion)