
Kryeministri i Izraelit Benjamin Netanyahu, deklaroi se forcat izraelite kanë zgjeruar kontrollin e tyre në më shumë se gjysmën e territorit të Gazës.
Sipas zyrës së tij, Netanyahu u shpreh pas mbledhjes së kabinetit në Jerusalem se Izraeli tashmë kontrollon rreth 60% të Gazës dhe se grupi militant Hamas ndodhet “nën presion të fortë”.
“Ne e dimë saktësisht cili është misioni ynë: të sigurojmë që Gaza të mos përbëjë më kurrë kërcënim për Izraelin”, deklaroi ai, ndërsa vlerësoi edhe operacionet e ushtrisë izraelite.
Pak ditë më parë, gazeta Israel Hayom raportoi, duke cituar një diplomat të lartë perëndimor, se Izraeli kishte zgjeruar kontrollin në rreth 64% të territorit të Gazës.
Sipas raportit, trupat izraelite janë vendosur përgjatë një vije të re të quajtur “Orange Line”, e cila zëvendëson “Yellow Line” si kufiri de facto i zonave të kontrolluara nga Izraeli.
(A2 Televizion)