Rritet numri i viktimave në Kiev, familjarët nuk identifikojnë dot të afërmit e tyre

Nga Erjon Dervishi
23 Nëntor 2026, 11:07 | Bota

Numri i të vdekurve nga një sulm me dron rus në një ndërtesë pesëkatëshe në Dymer, rajoni i Kievit, është rritur në 14. Ekipet e shpëtimit vazhdojnë të pastrojnë rrënojat. Shërbimi Shtetëror i Emergjencave raportoi se ekipet e shpëtimit kanë nxjerrë trupat e viktimave nga rrënojat e një shtëpie të shkatërruar.

Nëntë persona janë evakuuar deri më tani, por frika është se të tjerë mund të kenë mbetur të bllokuar nën beton.Pas sulmit, zelenski i ka bërë sërish thirrje Uashingtonit që të përshpejtojë dërgimin e raketave interceptuese amerikane Patriot, të financuara nga aleatët e Ukrainës. Sipas tij, është e vështirë të kuptohen vonesat në furnizimin me këto sisteme, në një kohë kur Rusia po intensifikon sulmet ajrore.

Lidiia Komarenko, 54 vjeç, po priste të dëgjonte lajme për djalin e saj 18-vjeçar, Roman Komarenko, i cili kishte qëndruar në një apartament në një ndërtesë banimi të dëmtuar nga sulmi rus.

Komarenko, e mbështjellë me një batanije, priti ndërsa ekipet e shpëtimit kontrollonin rrënojat përpara se të shkonin të identifikonin një trup të nxjerrë nga ndërtesa e dëmtuar. Ajo mezi ecte dhe u ndihmua nga ekipet e emergjencës dhe të tjerë. 

"Atje, po, është e vërtetë, atje pranë divanit. Po, pikërisht atje, ndodhet fëmija im". Ajo nuk i konfirmoi Reuters se trupi ishte i djalit të saj. Yulia Yurkovska, 26 vjeç, kushërira e Romanit, tha se ai kishte qëndruar në apartament vetëm për një natë, pasi jeton me familjen e tij në fshat.

Trupat e 3 personave u gjetën dhe rreth 10 persona mund të jenë ende të bllokuar nën rrënojat e një ndërtese banimi që u godit nga një dron rus të dielën në mëngjes në qytetin e vogël Dymer pranë Kievit. Zyrtarët lokalë thanë se katër persona, përfshirë një adoleshent, u plagosën.

Moska lëshoi 186 dronë drejt Ukrainës, përfshirë 72 modele me motor reaktiv. Mbrojtja ajrore ukrainase arriti të rrëzojë ose neutralizojë 161 prej tyre, ndërsa goditje u regjistruan në 18 zona.Zelenski zbuloi gjithashtu se gjatë javës së fundit Rusia ka sulmuar 20 rajone ukrainase, duke përdorur rreth 2 700 dronë, afro 1 460 bomba ajrore dhe 165 raketa. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos