
Drejtori i Inteligjencës Kombëtare të Shteteve të Bashkuara, Jay Clayton, është përballur me presionin për të justifikuar deklaratat e presidentit Donald Trump, i cili e cilësoi homologun rus, Vladimir Putin, si “mik”.
Gjatë një interviste në ABC News, Clayton u pyet për komentet e fundit të Trump.
“A është Vladimir Putin mik i Amerikës? Sepse Trump tha se nuk mund t’i përgjigjej kësaj pyetjeje”, pyeti Karl.
Në përgjigjen e tij, Clayton e cilësoi takimin e Trump si “historik” dhe deklaratat e tij si “të përshtatshme”. Megjithatë, kreu i inteligjencës amerikane theksoi se SHBA-të nuk kanë mbajtur anën e Rusisë në lidhje me pushtimin e Ukrainës.
“A është Vladimir Putin mik i Amerikës? Ai nuk është mik i Amerikës në Ukrainë. Aspak. Aspak”, qartësoi Clayton.
Kjo deklaratë vjen pas takimit të parë të konfirmuar mes Donald Trump, Vladimir Putin dhe presidentit kinez Xi Jinping, më 19 nëntor.
Tre liderët zhvilluan një tryezë të përbashkët në margjinat e konferencës së Bashkëpunimit Ekonomik Azi-Paqësor (APEC), në Shenzhen të Kinës.
Gjatë presidencës së tij, Trump e ka lavdëruar vazhdimisht Putinin. Në gusht të vitit 2025, ai priti liderin rus në Alaskë, në vizitën e parë të këtij të fundit në SHBA pas gati një dekade.
Kur u ritakua me Putinin gjatë konferencës në Shenzhen, Trump e përshëndeti atë ngrohtësisht, me një ton miqësor dhe të përzemërt.
(A2 Televizion)