
Gjermania ka vendosur të ndërhyjë me masa emergjente për të përballuar rritjen e çmimeve të karburanteve, të shkaktuar nga përshkallëzimi i konfliktit në Lindjen e Mesme.
Qeveria gjermane ka miratuar një ulje të përkohshme të taksës së karburantit me 17 cent për litër për benzinë dhe naftë, masë që do të jetë në fuqi për dy muaj. Synimi është lehtësimi i barrës financiare për familjet dhe bizneset, të cilat po përballen me kosto në rritje.
Kancelari Friedrich Merz paralajmëroi se efektet e këtij konflikti nuk do të jenë afatshkurtra.
“Pasojat e kësaj lufte do të ndihen për një kohë të gjatë, edhe pas përfundimit të saj. Qeveria do të bëjë gjithçka që ka në dorë për të mbështetur ekonominë dhe për të lehtësuar situatën e qytetarëve,” deklaroi ai.
Si pjesë e paketës, bizneset do të kenë mundësi t’u japin punonjësve një bonus lehtësimi deri në 1 mijë euro gjatë vitit 2026, pa u ngarkuar me taksa apo kontribute sigurimesh.
Vendimi vjen në një moment të vështirë për ekonominë gjermane, e cila mbetet e brishtë pas goditjeve të viteve të fundit. Pas tkurrjes në vitet 2023 dhe 2024 dhe një rritjeje minimale prej 0.2% vitin e kaluar, presioni i ri nga kriza energjetike rrezikon të ngadalësojë më tej rimëkëmbjen. (A2 Televizion)