Rusët bombardojnë Kievin gjatë natës, të paktën 26 të vrarë

Nga A2 CNN
1 Gusht 2025, 09:35 | Bota

Rusët bombardojnë Kievin gjatë natës, të paktën 26

Të paktën 26 persona u vranë dhe dhjetëra të tjerë u plagosën në sulmin e fundit rus në kryeqytetin ukrainas. Mes viktimave rezultojnë të jenë edhe tre fëmijë, sipas Ministrisë së Brendshme të Ukrainës.

"Gjatë natës dhe mëngjesit, ekipet e shpëtimit nxorën 10 trupa nga rrënojat e një pallati apartamentesh në lagjen Svyatoshinsky, përfshirë trupin e një fëmije dyvjeçar", shkroi ministria në llogarinë e saj në Telegram, duke shtuar se 159 persona, 16 prej tyre fëmijë, u plagosën nga bombardimet.

Ukraina u shënjestrua përsëri nga sulmet gjatë natës të premten. Një burrë 63-vjeçar u vra kur një predhë goditi një shtëpi në qytetin Veseljanka në rajonin lindor të Zaporizhzhya.

Sot është një ditë zie në Kiev pas bombardimeve të së enjtes, të cilat ishin ndër më vdekjeprurëset në kryeqytet që kur Rusia nisi ofensivën e saj të madhe në shkurt 2022.

Volodymyr Zelensky dënoi "një tjetër spektakël vdekjeprurës" të organizuar nga Moska dhe bëri thirrje për ndryshim regjimi në Rusi.

Ndërkohë, Donald Trump e quajti këtë valë të fundit të sulmeve ruse "të neveritshme".

Ai konfirmoi se do të vendoste sanksione ndaj Rusisë, duke thënë: "Nuk e di nëse do të ketë ndikim, por do të kemi."

Nga e marta, Trump i ka dhënë Vladimir Putinit 10 ditë kohë për t'i dhënë fund këtij konflikti të armatosur - më i keqi në Evropë që nga fundi i Luftës së Dytë Botërore - i cili ka lënë mijëra të vdekur nga të dyja palët. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos