Rusia bombardon Kherson, mbi 500 fëmijë të vrarë, Zelenski: S’ka negociata me Putin

Nga Rosalba Bejdo
6 Nëntor 2023, 12:10 | Bota

Edhe pse vëmendja e botës është zhvendosur drejt konfliktit mes izraelit dhe Hamasit, një tjetër luftë vazhdon pa u ndalur në zemrën e Europës. Dy persona humbën jetën dhe 6 të tjerë u plagosën pas bombardimeve intensive të Rusisë në rajonin e Kherson, gjatë 24 orëve të fundit. Në shënjestër u vu edhe qyteti-port i Odesës, ku gjithashtu pati të plagosur.

Sipas zyrës së prokurorit të përgjithshëm të Kievit, mbi 510 fëmijë kanë mbetur të vrarë dhe 1143 të plagosur që prej fillimit të luftës. Rusia dhe Ukraina ofrojnë raportime kontradiktore mbi atë që po ndodh përgjatë frontit të luftës, me Moskën që pretendon se ka ndalur kundërofensivën e Kievit në Zaporizhia dhe Ukrainën që thotë se ushtria e vet po përparon.

“Armiku është ndalur dhe kundërsulmi i forcave ukrainase, i cili ka qenë kaq i reklamuar është frenuar plotësisht”, tha Yevgeny Balitsky kreu i instaluar nga Moska në Zaporizhia.

Sipas autoriteteve të instaluara nga Moska në rajon, beteja të vogla vijojnë ende pranë fshatit të Robotyne dhe atij të Shcherbaky, që gjendet 22 km në veriperëndim. Megjithatë, presidenti ukrainas, Volodimir Zelenski, mohon që kundërofensiva të jetë në fazë ngecjeje, ndërsa vijon të përjashtojë mundësinë e negociatave me homologun rus Vladimir Putin. Ai hodhi poshtë pretendimet se liderët perëndimorë po i bëjnë presion për të bërë lëshime. Televizioni amerikan NBC, citoi zyrtarë të lartë amerikane dhe tha se po zhvillohen bisedime për të bërë kompromis në mënyrë që të arrihet një marrëveshje paqeje me Rusinë.

  (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos