Rusia dënon bombardimin e Iranit, Lavrov: Sulm i armatosur i paprovokuar

Nga A2 CNN
28 Shkurt 2026, 16:47 | Bota

Rusia dënon bombardimin e Iranit, Lavrov: Sulm i armatosur i paprovokuar

Rusia dënon “sulmin e armatosur të paprovokuar” ndaj Iranit nga SHBA-ja dhe Izraeli. Ministri i Jashtëm rus, Sergey Lavrov, të shtunën dënoi “sulmin e armatosur të paprovokuar” ndaj Iranit nga SHBA-ja dhe Izraeli, thuhet në një deklaratë të ministrisë, shkruan A2 CNN.

Në një bisedë telefonike me ministrin e Jashtëm iranian, Seyed Abbas Araghchi, Lavrov tha se sulmet ndaj Iranit shkelin parimet dhe normat e së drejtës ndërkombëtare dhe shpërfillin pasojat e rënda për stabilitetin dhe sigurinë rajonale dhe globale. Ai theksoi gatishmërinë e Rusisë, përfshirë në Këshillin e Sigurimit të OKB-së, për të lehtësuar kërkimin e zgjidhjeve paqësore të bazuara në të drejtën ndërkombëtare, respektin reciprok dhe balancën e interesave.

Lavrov nënvizoi gjithashtu nevojën për të ndërprerë menjëherë sulmet ndaj Iranit dhe për t’u rikthyer në një zgjidhje politike dhe diplomatike. Nga ana e tij, Araghchi e informoi Lavrovin mbi hapat e ndërmarra nga udhëheqja iraniane për t’iu kundërvënë “agresionit” të SHBA-së dhe Izraelit, duke thënë se Irani planifikon të thërrasë urgjentisht një mbledhje të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara.

Izraeli e nisi sulmin ndaj Iranit herët të shtunën nën emrin “Lion’s Roar”, duke shpallur një gjendje të jashtëzakonshme në të gjithë vendin. Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, konfirmoi gjithashtu “operacione të mëdha luftarake” në Iran, me qëllim mbrojtjen e popullit amerikan duke “eliminuar kërcënimet e afërta nga regjimi iranian”.

Më vonë, kryeministri izraelit, Benjamin Netanyahu, tha se Izraeli dhe SHBA-ja kanë nisur një operacion të përbashkët kundër Iranit për të eliminuar atë që e përshkroi si një “kërcënim ekzistencial” nga regjimi iranian.

Sulmet vijnë ndërkohë që bisedimet midis Uashingtonit dhe Teheranit për programin bërthamor të Iranit kishin qenë në zhvillim e sipër me ndërmjetësimin e Omanit. Një raund i ri bisedimesh në Gjenevë përfundoi të enjten. Qershorin e kaluar, SHBA-ja goditi tre objekte bërthamore iraniane gjatë luftës 12-ditore Izrael–Iran. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos