
Raportime të shumta po qarkullojnë pas pretendimeve se janë humbur të gjitha kontaktet me liderin suprem të Iran-it, Ali Khamenei, pas sulmeve ajrore që goditën kompleksin e tij rezidencial në Teheran nga SHBA dhe Izraeli.
Sipas medias izraelite Walla, prej disa orësh askush nuk ka arritur të vendosë kontakt me Khamenein dhe fati i tij mbetet i paqartë, pasi kompleksi ku ai qëndronte raportohet të jetë shkatërruar.
Edhe media të tjera në Izrael, përfshirë N12 dhe Channel 1, citojnë një zyrtar të lartë në Tel Aviv të ketë deklaruar: “Do të mbeteshim të shokuar nëse Khamenei do të shfaqej drejtpërdrejt. Sipas vlerësimit tonë, ai nuk është më mes nesh, por presim një konfirmim përfundimtar”.
Një tjetër burim izraelit ka shtuar se udhëheqësi suprem “me shumë gjasë nuk i ka mbijetuar sulmeve”. Megjithatë, pak minuta më parë, N12 kishte raportuar se Khamenei ishte “të paktën i plagosur”, duke lënë të hapur mundësinë që ai të jetë gjallë.
Nga ana tjetër, zyrtarët iranianë kanë premtuar se së shpejti do të publikojnë një regjistrim të Khameneit, çka mund të sqarojë situatën dhe të shuajë spekulimet.
Deri në këto momente nuk ka asnjë konfirmim zyrtar për gjendjen e liderit suprem, ndërsa tensionet në rajon vijojnë të jenë në nivele të larta dhe informacionet mbeten të pa verifikuara në mënyrë të pavarur. (A2 Televizion)