Ukraina është përballur me bombardime të vazhdueshme nga ana e Rusisë. Forcat ruse sulmuan Ukrainën me një raketë balistike Iskander-M dhe 46 dronë të llojeve të ndryshme, duke përfshirë kamikazët Shahed, njoftoi Forcat Ajrore të Kievit në Telegram, duke shtuar se nëntë avionë pa pilot u rrëzuan dhe 31 dronë ranë në zona të hapura. Dronët e shkatërruar u kapën në lindje dhe veri të vendit. Sulmi goditi rajonet e Kharkiv dhe Donetsk.
Rusia nga ana e saj ka bërë të ditur se 23 dronë ukrainas u rrëzuan mbi rajonet Belgorod dhe Kursk. Ministria ruse e Mbrojtjes thekson se njësitë e mbrojtjes ajrore shkatërruan 23 dronë ukrainas duke përfshirë 19 mbi rajonin Kursk dhe katër mbi rajonin e Belgorodit, thuhet në deklaratën zyrtare.
Viktima janë shkaktuar edhe në rajonet qendrore të Ukrainës. Banorët kanë shpallur tre ditë zie për 11 persona të vdekur dhe 9 fëmijë të vrarë nga raketat ruse. Ky është cilësuar si një nga sulmet më vdekjeprurëse ndaj civilëve në muajt e fundit. Kjo, theksojnë analistët ndërkombëtar rrezikon të shtyjë marrëveshjen e armëpushimit të negociuar nga Washingtoni. Presidenti Amerikan Donald Trump ka shprehur zemërimin e tij ndaj Rusisë.
“Arsyeja se pse nuk po flasim për tarifat me Rusinë është sepse ne aktualisht nuk po bëjmë ndonjë biznes me Rusinë pasi ata janë në luftë dhe unë nuk jam i lumtur për atë se çfarë po ndodh me bombardimet sepse ata po bombardojnë si të çmendur, pikërisht tani ata janë duke bombarduar. Nuk e di se çfarë po ndodh atje. Nuk është një situataë e mirë. Ne po takohemi me rusët dhe me ukrainasit dhe kemi përparime, por nuk jam i lumtur me tërë ato bombardime që kanë ndodhur së fundmi, është kaq e tmerrshme. Është një gjë e tmerrshme”, tha Donald Trump.
Sakaq, Volodymyr Zelenskyy ka bërë me dije se forcat e armatosura të Ukrainës janë të pranishme në rajonin rus të Belgorodit. Zelensky shpjegoi se komandanti i përgjithshëm Oleksandr Syrskyi konfirmoi praninë ushtarake të Ukrainës në rajonet Belgorod dhe Kursk. Ne vazhdojmë të kryejmë operacione aktive në zonat kufitare në territorin e armikut, dhe kjo është absolutisht e drejtë - lufta duhet të kthehet nga erdhi", shtoi presidenti ukrainas. (A2 Televizion)