
Rusia ka goditur një tjetër urë të rëndësishme në kryeqytetin ukrainas, duke shtuar presionin mbi infrastrukturën e Kievit. Sulmi i së shtunës, më 3 tetor, preku Urën Pivnichnyi (Veriore) mbi lumin Dnipro, pas disa sulmeve të njëpasnjëshme ndaj Urës Pivdennyi (Jugore).
Sipas kryebashkiakut të Kievit, Vitali Klitschko, sulmi dëmtoi sipërfaqen e rrugës dhe linjat ajrore të trolejbusëve. Për pasojë, qarkullimi në urë u pezullua përkohësisht, ndërsa shërbimet e emergjencës u dërguan në vendngjarje.
Sulmi vjen vetëm një ditë pasi Ura Pivdennyi u godit disa herë nga dronë rusë. Goditjet kanë shkaktuar ndërprerje të qarkullimit dhe bllokime të mëdha trafiku në Kiev.
Dy urat janë ndër kalimet kryesore mbi Dnipro dhe lidhin pjesët lindore dhe perëndimore të kryeqytetit. Mbi një e treta e banorëve të Kievit jetojnë në bregun lindor të lumit, ndërsa shumë prej tyre udhëtojnë drejt pjesës perëndimore, ku ndodhen institucionet dhe bizneset kryesore.
Sulmet ndaj urave kanë shtuar shqetësimet për funksionimin e transportit në kryeqytet, ndërsa Ukraina përgatitet për një tjetër periudhë dimërore nën kërcënimin e sulmeve ndaj infrastrukturës energjetike.
Moska ka deklaruar më herët se goditjet ndaj infrastrukturës ukrainase lidhen me objektiva ushtarake, ndërsa autoritetet ukrainase kanë paralajmëruar për pasojat e sulmeve të përsëritura ndaj infrastrukturës kritike. (A2 Televizion)