Ashtu sikurse paralajmëroi edhe në konferencën për shtyp me presidenten e KE-së Ursula von Der Leyen, kryeministri Edi Rama ka prezantuar sot platformën “Flamingo Mirror”. Në këtë platformë do të bëhen publike dokumente të shumë dosjeve qeveritare, por dokumentet e para që bëhen publike dhe që do të mund të aksesohen nga të gjithë qytetarët, janë dokumentet për dy investimet e parashikuara në Sazan dhe në Zvërnec. Ky projekt ka sjellë edhe një valë protestash të cilat vijojnë prej 126 ditësh në Bulevardin Dëshmorët e Kombit.
Në fjalën e tij kryeministri Edi Rama tha se “Pasqyra e Flamingos” do të përmbajë vetëm fakte, referenca ligjore dhe dokumente zyrtare, pa retorikë politike apo përgënjeshtrime.
“Sot janë në dispozicion të gjitha dokumentet zyrtare, referencat ligjore, informacioni i detajuar për çdo pyetje e shqetësim publik lidhur me dosjen e Zvërnec-Sazanit në stadin aktual të saj. Është shumë e rëndësishme që të thuhet që në Pasqyrën e Flamingos nuk ka retorikë, nuk ka deklarata politike, nuk ka përgënjeshtrime që targetojnë burime të ndryshme të cilat përhapin lajmin e rreme apo gjysmë të vërtetat që janë dhe gënjeshtrat më të mëdha. Ka vetëm gjuhë faktesh dhe gjuhë faktesh të mbështetur në referenca ligjore, të mbështetur në dokumente zyrtare. Çdo dosje e ‘Flamingo Mirror-Pasqyra e Flamingos’ është e hapur dhe e përditësueshme. Është një pasqyrë në përditësim të vazhdueshëm, sepse edhe dosja që do të prezantohet sot nuk është një dosje e mbyllur, është një dosje e hapur e cila do të plotësohet me të tjerë dokumente që do të vijnë në proces”, tha Rama.
Kryeministri sqaroi se në dosjen për Sazanin dhe Zvërnecin nuk janë publikuar projekti urbanistik dhe arkitektonik pasi ende nuk janë hartuar, ndërsa janë edhe në pritje të studimit mjedisor. Ai tha se çdo dokument i ri do të publikohet sapo të jetë gati, ndërsa dosja do të marrë statusin “e mbyllur” vetëm kur të përfundojë i gjithë procesi.
“Dosja nuk e ka studimin e impaktit mjedisor, sepse studimi i impaktit mjedisor ende nuk ka ardhur. Dosja nuk e ka projektin urbanistik dhe arkitektonik, sepse projekti ende nuk ka ardhur. Në momentin që këto do të vijnë dhe çfarëdo tjetër do të vijë, do të vendoset menjëherë në pasqyrë. Pra, e them këtë për të krijuar qartësi lidhur me çfarë mund të duket sikur mungon. Çfarë mungon është thjesht dhe vetëm çfarë nuk është ende në dispozicion dhe për këtë arsye dosja është e hapur. Në momentin kur dosja mbyllet, flas nga ana zyrtare, atëherë aty ka edhe një status që thotë dosje e mbyllur. Pra, në Pasqyrën e Flamingos janë dosjet e hapura”, vijoi kreu i qeverisë.
Kryeministri njoftoi gjithashtu se shumë shpejt, pritet të bëhen publike edhe dokumentet për KAYO-n, një tjetër çështje e kontestuar nga opozita, si edhe dokumentet për Milot-Balldren.
“Në këtë pasqyrë të Flamingos do të vendosim vijimësisht çdo dosje qeveritare me ndjeshmëri të posaçme dhe jemi duke përgatitur me skuadrën disa tema të tjera dhe shumë shpejt do të publikojmë dosjen e KAYO”, tha ai, duke theksuar se "Pasqyrë Albania do të bëhet ligj".
Në platformë ka një rubrikë për pyetje, ku qytetarët, gazetarët apo persona të interesuar mund të kërkojnë informacione. (A2 Televizion)