Ofensiva sekrete saudite, Huthët do përballen me sulme të Jemenit dhe aleatëve

Nga Erjon Dervishi
3 Tetor 2026, 15:04 | Bota

Arabia Saudite po planifikon një ofensivë kundër militantëve Huthi të mbështetur nga Irani në Jemen, me opsione që po shqyrtohen duke përfshirë një sulm bregdetar për të siguruar rrugën e transportit detar në Detin e Kuq ose një sulm në fronte të shumta. Kështu kanë bërë të ditur zyrtarë rajonal për Reuters.

Operacioni, që pritet të nisë në javët e ardhshme, do të udhëhiqet nga forcat jemenase në terren, të cilat mbikëqyren nga Riadi dhe mbështeten nga sulmet ajrore saudite.

Ndërsa SHBA-të tashmë po ofrojnë informacione për të mbështetur operacionet e Riadit në Jemen, dhe disa vende rajonale dhe evropiane po ofrojnë kryesisht ndihmë ushtarake mbrojtëse për mbretërinë, aleatët sauditë nuk pritet të luajnë një rol të drejtpërdrejtë në operacionet luftarake.

Arabia Saudite hyri në luftën civile të Jemenit fqinj në vitin 2015 në krye të një koalicioni arab në mbështetje të qeverisë së njohur ndërkombëtarisht, të cilën Huthitët e kishin dëbuar nga kryeqyteti Sanaa. Një armëpushim i rënë dakord midis palëve ndërluftuese në vitin 2022 u mbajt kryesisht deri këtë vit kur Huthitët nisën sulme me raketa dhe dronë ndaj anijeve dhe infrastrukturës së naftës saudite, si pasojë e luftës me Iranin.

Një objektiv kryesor i ofensivës së planifikuar saudite, e cila nuk është raportuar më parë, synon të përmbysë përparimet e shpejta të arritura nga Huthit muajin e kaluar kur ata përparuan përgjatë bregdetit dhe morën kontrollin e ngushticës Bab el-Mandeb.

Zyrtarët e Gjirit dhe Jemenit thanë se sauditët po shqyrtojnë dy mundësi të mundshme për sulmin: Ose një sulm i fokusuar ngushtë në zonën përreth Bab el-Mandeb ose një ofensivë më e gjerë që përfshin edhe sulme të tjera të sinkronizuara në fronte të shumta rreth Jemenit.

Më shumë se 100,000 trupa jemenase mund të mobilizohen në ofensivë, varësisht nga shkalla, thanë të gjithë zyrtarët.

Zëdhënësit e qeverive saudite dhe jemenase, grupit Houthi dhe ushtrisë amerikane nuk iu përgjigjën menjëherë kërkesave për komente në lidhje me planet saudite. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos