
Një valë sulmesh me raketa ruse gjatë natës ka vrarë të paktën tetë persona në kryeqytetin Kiev dhe në rajonin përreth, bëjnë të ditur autoritetet ukrainase.
Blloqe apartamentesh dhe magazina u goditën gjatë “sulmit masiv” të së enjtes, sipas Shërbimit Shtetëror të Emergjencave të Ukrainës (DSNS), ndërsa u dëmtuan edhe një spital për fëmijë dhe një shkollë. Të paktën 33 persona kanë mbetur të plagosur.
Autoritetet po punojnë për shpëtimin e personave të bllokuar nën rrënojat e ndërtesave të shembura, ndërsa ekipet e shpëtimit kanë arritur tashmë të nxjerrin dy persona të gjallë nga rrënojat.
Ndërkohë, Rumania bëri të ditur se një dron kishte hyrë në territorin e saj në kufirin verior me Ukrainën, duke aktivizuar sirenat e alarmit ajror.
Në orët e para të së enjtes, “një dron hyri në hapësirën ajrore kombëtare rumune, rreth 13 kilometra në lindje të qytetit të Galatit”, shkroi Ministria rumune e Mbrojtjes në një deklaratë.
Droni u rrëzua në “një zonë të pabanuar”, duke shkaktuar një zjarr të vogël, i cili u shua.
“Nuk u raportuan viktima apo dëme materiale”, shtoi ministria, duke theksuar se alarmi fillestar ishte hequr.
Edhe ushtria polake tha se kishte nisur “operacione mbrojtëse ajrore” për të mbrojtur hapësirën ajrore të vendit, i cili ndan një pjesë të kufirit të tij juglindor me Ukrainën.
(A2 Televizion)