Rusia nuk ndalet, mbi 400 dronë godasin Ukrainën, viktima e dhjetëra të plagosur

Nga A2 CNN
8 Shkurt 2026, 16:19 | Bota

Rusia nuk ndalet, mbi 400 dronë godasin Ukrainën, viktima e

Zyrtarë ukrainas thanë se të paktën tre persona u vranë nga sulmet ruse gjatë natës, që kishin në shënjestër ndërtesa banimi në qytetin lindor Kramatorsk.

Sulmet e 8 shkurtit përfshinë bomba të rënda, thanë zyrtarët, armë që Rusia i ka përdorur për të shkatërruar si pozicionet ukrainase në vijën e frontit, ashtu edhe zonat e banuara.

Gati 20 persona u plagosën në sulmet e orëve të para të mëngjesit, njoftoi Policia Kombëtare.

Në total, Rusia lëshoi më shumë se 400 dronë dhe raketa në lokacione anembanë vendit, tha presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky. Në një postim në Telegram, ai u ankua se armët ruse vazhdojnë të pajisen me pjesë dhe komponentë të importuar nga jashtë, ndërsa njoftoi masa të reja që synojnë ndërprerjen e furnizimeve me këto pjesë.

Së bashku me Slovianskun, Kramatorsku është një nga dy qytetet kryesore që Ukraina ende i kontrollon në rajonin lindor të Donjeckut. Të dy konsiderohen “qytete-fortesa”, thelbësore për mbrojtjen e Ukrainës në këtë rajon.

Rusia e ka bërë kapjen e gjithë rajonit të Donjeckut një prioritet strategjik, një pikë që e ka theksuar vazhdimisht në bisedimet e vazhdueshme të paqes të ndërmjetësuara nga Shtetet e Bashkuara.

Gjatë gjithë kësaj dimri, Rusia ka shënjestruar pa pushim banesat civile në të gjithë Ukrainën, si dhe rrjetin energjetik dhe objektet e ngrohjes së vendit.

Miliona njerëz në kryeqytetin Kiev dhe në qytete të tjera janë përballur me ndërprerje të energjisë elektrike ose të ngrohjes, ndërsa të ftohtit e ka mbërthyer vendin për javë të tëra.

Kompania shtetërore e naftës dhe gazit, Naftogaz, tha se Rusia kishte shënjestruar objektet e saj në rajonin lindor të Poltavës gjatë natës.

“Kjo ishte sulmi i 19-të i synuar rus ndaj objekteve të [Naftogaz] që nga fillimi i vitit”, tha kompania.

Edhe lokacione të tjera në të gjithë Ukrainën u goditën nga sulme ajrore gjatë natës së 8 shkurtit, përfshirë qytetet e Hersonit dhe Odesas.

Qeveria urdhëroi ndërprerje emergjente të energjisë elektrike në mbarë vendin më 7 shkurt, pas sulmeve të mëparshme ruse, të cilat goditën gjithashtu objektet e prodhimit dhe shpërndarjes së energjisë.

Javën e kaluar, Kievi dhe Moska përmbyllën dy ditë bisedimesh të ndërmjetësuara nga SHBA-ja në Abu Dabi. Megjithatë, nuk pati përparime të mëdha, një tjetër sinjal se sa të vështira janë përpjekjet për t’i dhënë fund luftës gati katërvjeçare.

Sipas raportimeve, negociatorët ukrainas dhe rusë pritet të takohen për një raund të ri bisedimesh javën e ardhshme në Shtetet e Bashkuara. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos