
Rusia tha se ka rrëzuar shtatë raketa Storm Shadow të furnizuara nga Britania për Ukrainën gjatë javës së kaluar, ndërsa Presidenti Volodymyr Zelensky tha se planifikon të zhvillojë një takim me Donald Trump të dielën.
Sipas mediave të huaja, të cilat cituan raportet e mediave ruse, Ministria ruse e Mbrojtjes tha se forcat e saj ishin në gjendje të shkatërronin raketat.
Nga ana tjetër Zelensky tha se të dy udhëheqësit (ai dhe Trump) do të diskutojnë për territorin e Ukrainës dhe garancitë e sigurisë dhe se plani i rishikuar prej 20 pikash që është në diskutim "është rreth 90% gati".
Zelensky tha gjithashtu se Ukraina "do të donte që evropianët të përfshiheshin", por dyshoi se kjo do të ishte e mundur në një kohë të shkurtër, shkruan A2 CNN.
Takimi i njoftuar është zhvillimi më i fundit në një përpjekje të gjerë diplomatike të udhëhequr nga SHBA-të për të mbyllur luftën gati katërvjeçare Rusi-Ukrainë, por përpjekjet kanë hasur në kërkesa të forta kontradiktore nga Moska dhe Kievi.
Njoftimi i Zelenskyt erdhi pasi ai tha të enjten se pati një “bisedë të mirë” me të dërguarin special të SHBA-së, Steve Witkoff dhe dhëndrin e presidentit amerikan, Jared Kushner.
Plani i rishikuar me 20 pika që është në diskutim u bë publik të mërkurën dhe vjen pas bisedimeve të fundit SHBA-Ukrainë në Miami. (A2 Televizion)