Rutte mesazh Putinit: Do të mbrojmë çdo centimetër të territorit të NATO-s, ndal luftën!

Nga A2 CNN
10 Shtator 2025, 16:38 | Bota

Shkelja e hapësirës ajrore të Polonisë nga dronët rusë nuk ishte një incident i izoluar, por një akt i rrezikshëm dhe i papërgjegjshëm. Kështu u shpreh Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Mark Rutte, pas mbledhjes së Këshillit të Atlantikut të Veriut me kërkesë të Varshavës.

Shefi i aleancës ushtarake paralajmëroi Moskën se NATO është vigjilente dhe e gatshme të mbrojë çdo centimetër të territorit të vet, shkruan A2 CNN. Këshilli i Atlantikut të Veriut u mblodh këtë mëngjes dhe diskutoi mbi situatën, pas kërkesës së Polonisë për konsultime. Aleatët shprehën solidaritet me Poloninë dhe denoncuan sjelljen e rrezikshme të Rusisë. Një vlerësim i plotë i incidentit po zhvillohet, por është e qartë se ajo që ndodhi nuk është një incident i izoluar.

“Mesazhi im për Putinin është i qartë: ndal luftën në Ukrainë dhe shkeljet e hapësirës ajrore të aleatëve. Dijeni se ne jemi vigjilentë dhe gati për të mbrojtur çdo centimetër të territorit tonë”, deklaroi Rutte.

Edhe udhëheqësit e tjerë perëndimorë dënuan me terma të ashpër hyrjen e dronëve rusë në Poloni. Presidenti francez Emmanuel Macron e cilësoi inkursionin si “thjesht të papranueshëm”, ndërsa i bëri thirrje Moskës të heqë dorë nga një përshkallëzim i tillë i rrezikshëm.

Kryeministri britanik Keir Starmer tha se “sulmi barbar ndaj Ukrainës dhe shkelja e paprecedentë e hapësirës ajrore të Polonisë” ishte një akt thellësisht shqetësues dhe i papërgjegjshëm, që sipas tij shërben për t’i kujtuar botës shpërfilljen flagrante të Putinit ndaj paqes.

Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky pohoi se hyrja e dronëve rusë në hapësirën polake ishte një akt ekstremisht i paprecedentë për Evropën. Zelensky paralajmëroi se Moska po teston limitet e Perëndimit, duke theksuar se numri i dronëve Shahed që hynë në Poloni ishte të paktën 24 – më shumë nga sa raportuan autoritetet polake.

Forcat ajrore të Ukrainës raportuan në total më shumë se 400 dronë dhe 42 raketa kruz në sulmin që nisi pak pas mesnatës dhe që dëmtoi infrastrukturë, godina dhe la të plagosur disa persona. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos