Pas një përshkallëzimi dramatik të retorikës për Groenlandën, që shokoi aleatët e NATO-s, Europa mund të marrë frymë më lirshëm. Nga Forumi Ekonomik Botëror në Davos të Zvicrës, presidenti amerikan Donald Trump kërkoi negociata të menjëhershme për marrjen e Groenlandës, të cilën e quajti me rëndësi jetike për sigurinë amerikane. Megjithatë, ai përjashtoi përdorimin e forcës dhe, pas takimit me sekretarin e përgjithshëm të NATO-s, Mark Rutte, njoftoi gjithashtu heqjen dorë nga tarifat ndëshkuese për shtetet që e kundërshtojnë.
Në një postim në rrjetet sociale, Trump e quajti shumë produktiv takimin me Rutten dhe njoftoi se ishin dakordësuar mbi kornizën e një marrëveshjeje të ardhshme lidhur me Groenlandën.
“Bazuar në një takim shumë produktiv që zhvillova me Sekretarin e Përgjithshëm të NATO-s, Mark Rutte, ne kemi formuar kornizën e një marrëveshjeje të ardhshme në lidhje me Groenlandën dhe, në fakt, të gjithë rajonin Arktik. Kjo zgjidhje, nëse arrihet, do të jetë një zgjidhje e shkëlqyer për Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe të gjitha vendet e NATO-s. Bazuar në këtë mirëkuptim, unë nuk do të vendos tarifat që ishin planifikuar të hynin në fuqi më 1 shkurt. Po zhvillohen diskutime shtesë në lidhje me Kupolën e Artë në Groenlandë”, tha Trump.
Detajet e marrëveshjes për të cilën flet Trump nuk janë bërë të ditura, por siç e konfirmoi edhe shefi i NATO-s, Rutte, nuk është diskutuar për marrjen e kontrollit apo pronësisë së territorit autonom danez. Nga ajo që tha Trump pas takimit, u kuptua se një ujdi e mundshme mund të përfshijë të drejtat mbi mineralet, si dhe bashkëpunimin mbi një sistem të mbrojtjes ajrore, të pagëzuar si “Kupola e Artë”, në Groenlandë.
Ndërkohë, sekretari i përgjithshëm i NATO-s tha të enjten se diskutimet me Trumpin ishin fokusuar te mënyra se si aleanca duhet të përmirësojë mbrojtjen në Arktik kundër Rusisë dhe Kinës.
“Ramë dakord se ai ka të drejtë që së bashku duhet të mbrojmë rajonin e Arktikut, por gjithashtu edhe se si SHBA-të vazhdojnë diskutimet me Groenlandën dhe Danimarkën, kur bëhet fjalë për mënyrën se si mund të sigurohemi që rusët dhe kinezët të mos kenë akses, në kuptimin ekonomik ose ushtarak, në Groenlandë. Mendoj se ky ishte një rezultat shumë i mirë”, tha Rutte.
Pas bisedimeve mes Trump dhe Rutte, kryeministrja e Danimarkës, Mette Frederiksen, tha se mund të negociojnë gjithçka, nga çështjet politike te ato të sigurisë, investimeve dhe ekonomisë për Groenlandën, por ajo e bëri të qartë se sovraniteti i vendit është i panegociueshëm. (A2 Televizion)