Sarkozi u prit nga Macron në Pallatin Presidencial para se të shkojë në burg

Nga A2 CNN
20 Tetor 2025, 18:43 | Bota

Sarkozi u prit nga Macron në Pallatin Presidencial para se të

Emmanuel Macron ka konfirmuar se e kishte ftuar paraardhësin e tij, Nicolas Sarkozy, në pallatin presidencial disa ditë para se Sarkozy të bëhet ish-kreu i parë i shtetit në historinë moderne franceze që burgoset. Le Figaro raporton se takimi u zhvillua të premten e kaluar.

“Ishte normale, në një nivel personal, të prisja një nga paraardhësit e mi në këtë kontekst”, u tha Macron gazetarëve gjatë një udhëtimi në Slloveni.

Ai theksoi se vizita nuk kishte për qëllim të cenonte pavarësinë e gjyqësorit francez. Sakaq, Sarkozy tha gjatë fundjavës se do të fillonte të vuante dënimin e tij të martën në burgun Santé, por ende nuk dihet se sa gjatë do të qëndrojë pas hekurave.

Me vete, tha ai, do të marrë “Konti i Monte Kristos” të Alexandre Dumas, romanin që protagonist ka heroin, i cili arrin të arratiset nga burgu pasi është burgosur padrejtësisht. Por ish-Presidenti do të ketë edhe një biografi të Krishtit.

Sarkozy u dënua në shtator me pesë vjet burg pasi akuzohej se kishte lejuar bashkëpunëtorët që të përpiqeshin të siguronin mbështetje financiare nga regjimi i Muamar Gadafit në Libi në këmbim të favoreve ekonomike dhe diplomatike. Kjo ndodhi pak para zgjedhjeve presidenciale të vitit 2007, të cilat ai i fitoi.

Ai është kreu i parë i shtetit francez që burgoset që nga koha e Philippe Petain, një bashkëpunëtor famëkeq me nazistët gjatë pushtimit të vendit në Luftën e Dytë Botërore. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos