
Hamasi duhet t'i përmbahet marrëveshjes së armëpushimit në Gaza, përndryshe do të ketë pasoja të rënda. Kështu është shprehur Presidenti amerikan Donald Trump dë deklaratat e së hënës nga Shtëpia e Bardhë, ku priti kryeministrin australian Anthony Albanese.
Trump fillimisht tha se "kemi një problem me Hamasin”. “Ky problem do të zgjidhet shpejt, sepse ata po e shkelin marrëveshjen", shtoi ai.
Por kreu i Shtëpisë së Bardhë nënvizoi se nuk besonte që udhëheqja e organizatës ishte fajtore për situatën.
"Ka disa rebelë midis tyre dhe ata vranë disa njerëz", vuri në dukje ai përpara se të lëshonte kërcënime.
"Ne bëmë një marrëveshje me Hamasin, ata do të sillen mirë, do të jenë të sjellshëm. Nëse nuk e bëjnë, ne do t'i eliminojmë. Ata do të eliminohen dhe ata e dinë këtë", theksoi Presidenti amerikan.
Ai tha gjithashtu deklaroi se Hamasi “është një grup i dhunshëm” dhe sipas Trump kjo është vërejtur “gjatë 100 viteve të fundit”.
“Ata bënë gjëra që nuk duhet t’i kishin bërë dhe nëse vazhdojnë t’i bëjnë, ne do të ndërhyjmë dhe do t’i korrigjojmë. Kjo do të ndodhë shumë shpejt dhe në një mënyrë mjaft të dhunshme”, shtoi ai.
Sakaq kryeministri Benjamin Netanyahu konfirmoi në Knesset se Izraeli hodhi 153 ton bomba në Rripin e Gazës të dielën. Bombat u hodhën gjatë sulmeve vdekjeprurëse, ndërsa IDF akuzoi Hamasin për sulme dhe shkelje të armëpushimit.
"Ne hodhëm 153 ton bomba dje në pjesë të ndryshme të Rripit të Gazës pasi dy nga ushtarët tanë u vranë nga Hamasi", tha Netanyahu në fillim të sesionit parlamentar dimëror.
Ushtria izraelite, e cila njoftoi vdekjen e dy ushtarëve në luftime në Rafah, në Rripin jugor të Gazës, bombardoi zonat përgjatë enklavës palestineze të dielën përpara se të njoftonte se po rivendoste një armëpushim. Hamasi mohoi çdo përfshirje dhe riafirmoi "angazhimin e tij të plotë" ndaj marrëveshjes së armëpushimit, e cila hyri në fuqi më 10 tetor. (A2 Televizion)
