Demokratët edhe këtë seancë nuk lejuan punime normale parlamentare. Thirrjet e Sali Berishës për thyerje kockash ndaj deputetëve socialistë, tensionuan që në nisje punimet. Me foltoren e bllokuar nga deputetët e PD, mazhoranca kaloi në votim të rendit të ditës, ndërsa opozitarët ndezën tymuese dhe flakadanë në sallë, çka solli përjashtimin e menjëhershëm të katër prej tyre.
Me të ardhur në seancë plenare Sali Berisha mori vetë drejtimin, duke u pozicionuar në foltore në përpjekje për t'i dhënë zë protestës së studentëve. Fjalët e tij acaruan situatën, duke detyruar kryeparlamentarin Peleshi të ndërhynte.
Pas dy ndërprerjeve të seancës dhe përpjekjeve për të kthyer normalitetin, mazhoranca socialiste kërkoi kalimin në votim të rendit të ditës. Kundërpërgjigja e demokratëve ishte ndezja e tymueseve dhe flakadanëve në sallën e madhe plenare, por nga socialistët nuk pati tërheqje.
Kryetari i Kuvendit shkoi edhe më tej, duke përjashtuar direkt nga seanca katër deputetë demokratëve, masa më e rëndë që i lejon rregullorja si vendimmarrje e menjëhershme brenda tagrit të tij.
Berisha u largua pa pritur përfundimin e votimit dhe pa komunikuar me gazetarët në oborr, ku u ndal n/kryetari i grupit demokrat, Tomorr Alizoti. A2 CNN e pyeti nëse ai pajtohej me thirrjet e kryedemokratit, por Alizoti shmangu përgjigjen.
Sa ndodhi në sallë, socialistët e quajnë përpjekje të kotë për të bllokuar avancimin e Shqipërisë drejt Bashkimit Europian dhe paralajmëruan masa të tjera ndëshkimore për kolegët e PD. (A2 Televizion)