SHBA bombardon ashpër Iranin pas tentativës për sulm ndaj trupave amerikane

Nga A2 CNN
30 Korrik 2026, 07:19 | Bota

SHBA bombardon ashpër Iranin pas tentativës për sulm ndaj trupave

Shtetet e Bashkuara kanë ndërmarrë sulme të fuqishme ajrore kundër dhjetëra objektivave të Gardës Revolucionare Islamike të Iranit, në përgjigje të një tentative iraniane për të goditur me raketa balistike bazat amerikane në Jordani dhe anijet në Ngushticën e Hormuzit.

Komanda Qendrore e SHBA-së njoftoi se operacioni zgjati rreth një orë dhe kishte në shënjestër qendra komanduese ushtarake, objekte raketore dhe dronësh, sisteme të mbikëqyrjes bregdetare, si dhe kapacitete detare të Iranit.

Presidenti amerikan Donald Trump deklaroi para gazetarëve se SHBA do të përgjigjej me forcë ndaj sulmeve iraniane. "Do t'i godasim shumë fort, sepse tani është radha jonë. Ata e dinë se kjo po vjen dhe na kërkuan të mos e bënim," u shpreh ai.

Nga ana tjetër, Garda Revolucionare Iraniane tha se kishte shënjestruar një bazë ajrore amerikane dhe një qendër komanduese në Jordani, duke e cilësuar veprimin si përgjigje ndaj "akteve agresive të ushtrisë amerikane". Ajo gjithashtu pretendoi se kishte goditur tre cisterna nafte në Ngushticën e Hormuzit.

Përshkallëzimi i fundit vjen vetëm një ditë pas sulmeve të përbashkëta të SHBA-së dhe Arabisë Saudite ndaj grupeve të mbështetura nga Irani në Irak. Sipas Komandës amerikane, këto operacione ishin përgjigje ndaj më shumë se 30 sulmeve me dronë të drejtuara nga Irani gjatë 72 orëve të fundit.

Forcat e Mobilizimit Popullor në Irak, të dominuara nga milicitë shiite të mbështetura nga Irani, deklaruan se të paktën 20 anëtarë të tyre u vranë gjatë sulmeve. Presidenca irakiane dënoi bombardimet, duke i cilësuar si shkelje të sovranitetit të vendit, ndërsa presidenti Trump tha se operacionet ishin të koordinuara me qeverinë e Irakut.

Ndërkohë,  ministri saudit i Mbrojtjes, Princi Khalid bin Salman, i ka përcjellë presidentit Trump dëshirën e Arabisë Saudite për uljen e tensioneve në rajon. Konflikti, i cili nisi pesë muaj më parë, vazhdon të mbetet pa një zgjidhje diplomatike, pavarësisht përpjekjeve për negociata.

  (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos