Trump thotë se zgjidhja do gjendet... Tym i zi në Shtëpinë e bardhë, grindje SHBA-Danimarkë për Groenlandën

Nga A2 CNN
15 Janar 2026, 15:57 | Bota

“Tym i zi” në Shtëpinë e Bardhë. Takimi mes zyrtarëve të lartë të Danimarkës, Groenlandës dhe Shteteve të Bashkuara në Uashington përfundoi me “mosmarrëveshje themelore”. Ministri i jashtëm danez, Lars Lokke Rasmussen, njoftoi se bisedimet me zëvendëspresidentin JD Vance dhe sekretarin e shtetit Marco Rubio të mërkurën ishin “të sinqerta dhe konstruktive”, shkruan A2 CNN. Por ai shtoi se Presidenti amerikan Donald Trump po këmbëngulte në “pushtimin” e Grenlandës, gjë që për të ishte “krejtësisht e papranueshme”. Bashkë me ministren e jashtme të territorit gjysmëautonom ata adresuan dhe shqetësimet amerikane për sigurinë.

“Ne kemi vendosur të formojmë një grup pune të nivelit të lartë për të shqyrtuar nëse mund të gjejmë një rrugë të përbashkët përpara. Grupi, sipas mendimit tonë, duhet të përqendrohet në mënyrën e adresimit të shqetësimeve amerikane për sigurinë, duke respektuar në të njëjtën kohë vijat e kuqe të Mbretërisë së Danimarkës. Ne presim që një grup i tillë të takohet për herë të parë brenda pak javësh. Nuk ka një kërcënim të menjëhershëm nga Kina dhe Rusia, të paktën jo një kërcënim që nuk mund ta përballojmë”, tha Lars Lokke Rasmussen, ministër i jashtëm i Danimarkës.

“Është shumë e rëndësishme të themi edhe një herë se sa e rëndësishme është nga ana jonë të forcojmë bashkëpunimin tonë me Shtetet e Bashkuara. Por kjo nuk do të thotë se duam të jemi pronë e SHBA-ve”, tha Vivian Motzfeldt, ministre e jashtme e Groenlandës.

Megjithatë, presidenti Trump përsëriti interesin e tij për të blerë ishullin e pasur me burime, një pozicion që ka tronditur aleatët në të gjithë Europën dhe ka nxitur tensione me NATO-n. “Ne po bëjmë Mburojën e Artë. Po bëjmë shumë gjëra dhe kemi vërtet nevojë për Groenlandën. Nëse nuk marrim, Rusia dhe Kina do të hyjnë. Dhe nuk ka asgjë që Danimarka mund të bëjë në lidhje me këtë, por ne mund të bëjmë gjithçka në lidhje me të”, tha Trump.

Ai shtoi se SHBA-të kanë raporte të mira me Danimarkën dhe se një zgjidhje për Groenlandën do të gjendet së shpejti. Vendet europiane janë vënë në lëvizje kundër Trump. Shumë vende po mbështesin Danimarkën, vend i cili ka dërguar ushtarë në territorin gjysmëautonom. Një lëvizje të tillë kanë premtuar ta bëjnë edhe disa vende europiane.  (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos