Pas Sali Berishës, radhën për të shkelur në Amerikë e ka Kryeministri Edi Rama. Shefi i qeverisë shqiptare do të udhëtojë drejt SHBA-së për të marrë pjesë në Asamblenë e Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara në New York, punimet e së cilës nisin më 22 dhe mbyllen më 28 shtator.
Këtë vit radhën për të përfaqësuar Shqipërinë nuk e ka Presidenti Begaj, por shefi i qeverisë, që sipas axhendës paraprake pritet të mbajë fjalën gjatë paradites së 25 shtatorit, me orarin amerikan.
Edhe pse fjalimi mbetet ende në diskrecionin e tij, Edi Rama ka mundësi që para syve të liderëve botërorë të flasë edhe për vendimin e Hagës për 4 liderët e UÇK-së. Por gjithashtu, sipas traditës, të gjithë liderët do të kenë mundësi të shkrepin një foto me presidentin amerikan, Donald Trump, atë të cilin Berisha e pa vetëm nga lozhat e Konventës së Partisë Republikane.
Por kjo nuk është axhenda e vetme e Kryeministrit. Ish-ministri i Brendshëm i qeverisë teknike Rama-Basha, Dritan Demiraj, bën thirrje për protestë kundër Edi Ramës, që sipas tij do të ketë një takim me shqiptarët që jetojnë në Miçigan më datën 20 shtator.
Gjithashtu, Kryeministri Rama është ftuar në Galanë e Komunitetit Shqiptar në New York më 24 shtator. Këshilli i Marrëdhënieve Shqiptaro-Amerikane do të organizojë mbrëmjen e dytë vjetore të Galasë së tij, ku janë të ftuar si Kryeministri Rama dhe kreu i PD-së, Sali Berisha, por edhe liderë të tjerë të Ballkanit Perëndimor.
Sipas burimeve, shefi i qeverisë, Rama, e ka pranuar ftesën për këtë mbrëmje gala, ku pritet të dekorohet edhe Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, me “Knight of the Order of Scanderbeg”.
Sipas organizatorëve, Galaja e këtij viti pritet të bashkojë liderë politikë, diplomatë dhe përfaqësues të komunitetit për të vlerësuar kontributet e diasporës dhe për të forcuar partneritetin strategjik midis Shteteve të Bashkuara dhe kombit shqiptar. (A2 Televizion)