Kievi paralajmëron se një ndërprerje e furnizimeve me armë amerikane mund të inkurajojë Rusinë të vijojë luftën në Ukrainë, e cila tashmë ka hyrë në vitin e katërt. Të martën, Shtëpia e Bardhë tha se kishte anuluar disa prej dërgesave me armatime drejt Ukrainës, shkruan A2 CNN. Siç u bë e ditur, vendimi ishte marrë për të vendosur interesat e Amerikës në plan të parë, pas shqyrtimit që Departamenti i Mbrojtjes i bëri mbështetjes dhe asistencës ushtarake amerikane në vendet e tjera.
Ministria e Jashtme në Kiev deklaroi se çdo vonesë apo zvarritje në mbështetjen për kapacitetet mbrojtëse të Ukrainës do të inkurajonte agresorin të vijonte luftën dhe terrorin, në vend që të kërkonte paqe. Në veçanti, ajo theksoi nevojën për fuqizimin e mbrojtjes ajrore të Kievit, teksa Moska vazhdon të bombardojë vendin me raketa dhe dronë, në bazë ditore.
Gjatë fundjavës, Ukraina u përball me sulmin më të madh ajror që prej fillimit të luftës nga Rusia, me më shumë se 500 dronë, raketa balistike dhe raketa kruz të lëshuara mbi qytete në gjithë vendin. Autoritetet amerikane nuk kanë konfirmuar se cilat janë armatimet që nuk do të dërgohen, por sipas rrjetit amerikan NBC, mes tyre mund të përfshihen sistemet Patriot, municione, raketa dhe granatahedhëse.
Kremlini e mirëpriti lajmin për reduktimin e armatimeve, duke thënë se një hap i tillë do të ndihmonte në mbylljen më të shpejtë të konfliktit. Edhe pse Europa po jep një kontribut të rëndësishëm, një burim i ushtrisë ukrainase tha për AFP se ata varen kryesisht nga armët amerikane, ndërsa SHBA ka dërguar miliarda dollarë ndihma gjatë 3 viteve e gjysmë të luftës. (A2 Televizion)