SHBA rrit tarifat për vizitorët e huaj

Nga A2 CNN
6 Shtator 2025, 15:18 | Bota

SHBA rrit tarifat për vizitorët e huaj

Vizitorët nga disa prej aleatëve më të afërt të Shteteve të Bashkuara do të përballen me tarifa më të larta për hyrjen në vend, sipas ligjit të ri të administratës Trump, të njohur si “One Big Beautiful Bill”. Ndryshimet prekin kryesisht aplikantët e Sistemit Elektronik për Autorizimin e Udhëtimit (ESTA), i cili përpunon kërkesat e udhëtarëve nga mbi 40 vende pjesë e Programit të Shmangies së Vizave, shkruan A2 CNN. Në këtë grup përfshihen Mbretëria e Bashkuar, Australia, Zelanda e Re, Izraeli, shumica e vendeve evropiane, si dhe disa vende të tjera, përfshirë Katarin.

Deri më sot, aplikantët paguanin 21 dollarë për aplikimin ESTA, por duke filluar nga 30 shtatori tarifa pothuajse do të dyfishohet, duke arritur në 40 dollarë. Ky nuk është ndryshimi i vetëm. Udhëtarët që hyjnë në SHBA përmes kufirit tokësor do të përballen gjithashtu me një rritje të ndjeshme të tarifës për formularin I-94 (Arrival/Departure Record). Nga 6 dollarë që është aktualisht, ajo do të shkojë në 30 dollarë.

Një tjetër masë që hyn në fuqi është vendosja e një tarife të re për udhëtarët nga Kina. Ata do të duhet të paguajnë 30 dollarë për regjistrimin në sistemin elektronik të përditësimit të vizave (EVUS). Të gjitha këto ndryshime do të hyjnë në fuqi më 30 shtator, sipas njoftimit të fundit në Federal Register.

Përveç këtyre, shumë udhëtarë nga vendet që nuk janë pjesë e programit të shmangies së vizave do të përballen me një tarifë shtesë, të quajtur “visa integrity fee”, me vlerë 250 dollarë. Edhe pse kjo tarifë ende nuk është zbatuar, Departamenti i Sigurisë Kombëtare ka konfirmuar se kërkon koordinim ndërinstitucional përpara se të hyjë në fuqi. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos