
Kombëtarja shqiptare U-15 e mbyll në mënyrën më të mirë aventurën në FIFA U-15 World Cup & Festival 2026, duke siguruar vendin e 17-të mes 189 përfaqësueseve pjesëmarrëse. Kuqezinjtë e drejtuar nga Armand Dama triumfuan ndaj Perusë pas gjuajtjeve të penalltive, në ndeshjen e fundit të turneut të zhvilluar në Azerbajxhan.
Koha e rregullt përfundoi në barazim 2-2, ndërsa nga pika e bardhë Shqipëria u tregua më e saktë, duke fituar 6-5 dhe siguruar një pozicion mes ekipeve më të mira të këtij kompeticioni.
Një rrugëtim pozitiv për talentet kuqezi, që e nisën turneun me pesë fitore në pesë ndeshje, duke e mbyllur fazën e parë në krye të Grupit Y. Në fazën pasuese, pas humbjes 2-1 ndaj Egjiptit, Shqipëria reagoi me tri fitore radhazi: 4-1 ndaj Algjerisë, 2-1 ndaj Australisë dhe 4-3 ndaj Bosnjë-Hercegovinës.
Një eksperiencë e vlefshme për futbollistët e rinj shqiptarë, të cilët përveç rezultateve pozitive, fituan përvojë ndërkombëtare në edicionin e parë të këtij turneu të organizuar nga FIFA. Një sinjal pozitiv dhe tepër premtues për të ardhmen e futbollit shqiptar! (A2 Televizion)