Të paktën 30 persona kanë vdekur dhe 35 janë zhdukur në Kinën qendrore, pas reshjeve të rrëmbyeshme të shiut që përfshinë vendin. Reshjet u shkaktuan nga tajfuni Gaemi, i cili u zhvendos nga Filipinet dhe Tajvani për të arritur në Kinën Qendrore, një javë më parë.
Më shumë se 11 000 njerëz u evakuuan nga qyteti i Zixing pasi disa zona shënuan reshje rekord shiu prej 645 milimetrash në vetëm 24 orë. Shumë rrugë që lidhin qytetet në zonën e Zixing u bllokuan, furnizimi me energji elektrike u ndërpre dhe po ashtu infrastruktura e komunikimit.
Moti ekstrem i nxitur nga cikloni më i fuqishëm tropikal që goditi Kinën, këtë vit, preku pothuajse 90 000 njerëz, duke dëmtuar rreth 1400 shtëpi dhe duke shkatërruar rreth 1300 rrugë.
Një javë më parë, autoritetet evakuuan rreth 300 000 njerëz dhe pezulluan transportin publik në të gjithë Kinën lindore, pasi tajfuni Gaemi solli shira të rrëmbyeshëm (A2 Televizion)