
Apple ka emëruar shefin e vjetër të pajisjeve harduerike, John Ternus, si drejtues të ri ekzekutiv të kompanisë, pas Tim Cook, duke i besuar një figure të brendshme drejtimin e gjigantit të iPhone në një periudhë të dominuar nga inteligjenca artificiale.
Sipas njoftimit zyrtar, Tim Cook do të largohet nga posti i drejtorit ekzekutiv më 1 shtator dhe do të mbetet si kryetar ekzekutiv. Gjatë 15 viteve në krye të Apple, Cook një gjeni i zinxhirit të furnizimit, e rriti vlerën e kompanisë me rreth 3.6 trilionë dollarë.
Ternus, pjesë e Apple që nga viti 2001, ka luajtur rol kyç në zhvillimin e produkteve si Mac. Edhe pse ka mbajtur një profil të ulët publik, ai ka qenë i përfshirë në formësimin e produkteve më të mëdha të Apple, si iPad-ët dhe AirPods.
Kalimi i drejtimit vjen në një moment sfidues për Apple, e cila ka humbur vendin si kompania më e vlefshme në botë ndaj Nvidia, ndërsa investitorët janë të shqetësuar për mungesën e inovacionit në fushën e inteligjencës artificiale.
Një nga sfidat kryesore për Ternus do të jetë integrimi i AI në iPhone dhe përmirësimi i asistentit virtual Siri, për të cilin Apple ka arritur një marrëveshje me Google për përdorimin e teknologjisë Gemini. (A2 Televizion)