Sulm me armë pranë piramidave antike të Meksikës, vritet turistja kanadeze, plagosen disa të tjerë

Nga A2 CNN
21 Prill 2026, 07:37 | Bota

Sulm me armë pranë piramidave antike të Meksikës, vritet

Një ngjarje e rëndë ka tronditur Meksikën, ku një turiste kanadeze 32-vjeçare humbi jetën dhe disa persona të tjerë mbetën të plagosur pas një sulmi me armë zjarri në vendin historik të Teotihuacán.

Sipas autoriteteve meksikane, një person i armatosur hapi zjarr ndaj vizitorëve pranë piramidave antike, një nga destinacionet më të frekuentuara turistike në vend dhe pjesë e trashëgimisë botërore të UNESCO-s. Autori i sulmit më pas i dha fund jetës së tij në vendngjarje.

Ministrja e Jashtme e Kanadasë, Anita Anand, njoftoi se një shtetase kanadeze ka humbur jetën dhe një tjetër është plagosur, ndërsa zyrtarët konsullorë po ofrojnë ndihmë.

Autoritetet lokale bëjnë me dije se mes të plagosurve ka shtetas nga Kolumbia, Rusia dhe Kanadaja. Në vendngjarje u sekuestruan një armë zjarri, një mjet prerës dhe fishekë.

Dëshmitarët përshkruan skena paniku, me turistë që vraponin për t’u larguar pa një evakuim të organizuar, ndërsa motivi i sulmit mbetet ende i paqartë.

Presidentja e Meksikës, Claudia Sheinbaum, shprehu solidaritet me viktimat dhe familjet e tyre, duke bërë të ditur se ka urdhëruar një hetim të plotë dhe mbështetje për të prekurit. Ajo konfirmoi gjithashtu komunikimin me ambasadën kanadeze.

Ngjarja vjen vetëm pak javë nga ndeshja e parë e Kupës së Botës FIFA në Mexico City, ku Meksika është një nga vendet pritëse. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos