
Një shpërthim i fuqishëm në një furgon shkaktoi evakuimin e një qendre tregtare në Londër dhe dërgimin urgjent në spital të një burri rreth të 60-ave. Ngjarja ndodhi të hënën rreth orës 10:00 të mëngjesit në parkingun nëntokësor pranë kompleksit “Wimbledon Quarter”.
Ekipet e ambulancës, zjarrfikësve dhe policisë mbërritën menjëherë në vendngjarje pasi alarmi u dha nga qytetarët që dëgjuan shpërthimin e fortë. Fotot e publikuara në rrjetet sociale treguan furgonin të shkatërruar, me xhama të thyer dhe copëza të shpërndara në zonë, shkruan A2 CNN.
Policia konfirmoi se i lënduari ishte drejtuesi i furgonit dhe pësoi djegie serioze, duke u transportuar me urgjencë në spital. Sipas të dhënave paraprake, përmbajtja e furgonit ka shpërthyer pasi mjeti dyshohet të ketë goditur tavanin e parkingut. Autoritetet theksuan se incidenti nuk po trajtohet si akt terrorist.
Rruga pranë qendrës tregtare, Queens Road, u mbyll për qarkullimin, ndërsa stacioni i metrosë dhe linjat hekurudhore të Wimbledon-it vijuan funksionimin normal. (A2 Televizion)
