
Në Augsburg të Gjermanisë aktualisht po zhvillohet një operacion policor për shkak të një shpërthimi pranë stacionit qendror të trenit.
“Bild” raporton se si pasojë e shpërthimit është prekur trafiku rrugor dhe transporti publik lokal.
Sipas informacioneve, një objekt ende i paidentifikuar ka shpërthyer, duke lënë për pasojë dy të plagosur. Policia u njoftua rreth orës 03:15 të mëngjesit të së mërkurës.
Ekspertë për lëndët shpërthyese nga Zyra Shtetërore e Policisë Kriminale të Bavarisë ndodhen në vendngjarje, bëri të ditur policia.
Ndërkaq një perimetër sigurie është vendosur pranë ndërtesës ku ndodhi shpërthimi.
Trafiku hekurudhor është i kufizuar, por trenat vazhdojnë të qarkullojnë përmes linjave të tjera. (A2 Televizion)