Bashkëkryetari socialist i Komisionit të Posaçëm për Reformën Territoriale, Arbjan Mazniku, deklaroi se nuk do të ketë shkrirje të asnjë bashkie, por vetëm bashkim.
“Gjermania Lindore, kur u bashkua me Gjermaninë Perëndimore, nuk u shkri. U bashkuan dy gjermanitë, u bë një Gjermani e madhe, u bë një Parlament më i madh. Dardha ishte komunë, u bë pjesë e Korçës. Nuk u shkri Dardha. U shkri Dardha? Është po aty Dardha. Voskopoja ka histori prej 700 vjetësh. U bashkua me Korçën. U shkri Voskopoja? Farka u bashkua me Tiranën. U shkri Farka? Është aty akoma, madje ka më shumë rrugë. U shkri Petrela? Është më mirë sot. U shkri Ndroqi me Astirin? Nuk u shkrinë”, tha Mazniku në studion e “Off the Record” nga Andrea Danglli, në A2CNN.
“Nga pikëvështrimi administrativ, diskutimi i shkrirjes është i pavërtetë dhe nuk ka shkrirje. Kemi bashkim”, shtoi Mazniku.
(A2 Televizion)