Marrëveshja mes liderëve të Lëvizjes Vetëvendosje dhe Lidhjes Demokratike të Kosovës për emrin e kandidatit për President mund të mos i japë zgjidhje krizës politike në Kosovë.
Pak pasi kryesia e LDK i dha dritën jeshile ujdisë, duke u bërë thirrje deputetëve ta votojnë Bekim Sejdiun si kreun e ri të shtetit, kru i partisë, Lumir Abdixhiku tha se 6 deputetë nga radhët e tyre kanë dalë kundër kandidaturës, shkruan A2.
"Me keqardhje të madhe për popullin e Kosovës dhe fatin e Republikës, gjashtë deputetë të LDK kanë vendosur të mos e respektojnë vendimin e LDK-së, konkretisht Avdullah Hoti, Hykmete Bajrami, Arben Gashi, Armend Zemaj, Kujtim Shala dhe Janina Ymeri, kanë deklaruar se nuk e votojnë kandidatin e propozuar”, tha Abdixhiku.
Duke e cilësuar si tejet të dëmshëm një qëndrim të tillë, që, siç tha, e çon vendin drejt zgjedhjeve të reja, Abdixhiku tha se ka vetëm 12 deputetë në dispozicion dhe me ta do të shkojë në sallë kur të votohet për President. Ai i akuzoi gjashtë deputetët që dolën kundër nominimit të Sejdiut se kanë vepruar për interesa personale.
Abdixhiku tha se do të merren masa ndaj gjashtë deputetëve, por nuk tregoi se cilat do të jenë ato.
Deputetja e zgjedhur e LDK-së, Hykmete Bajrami, reagoi pas mbledhjes së Grupit Parlamentar, duke u shprehur se ajo është zgjedhur jo për të qenë numër në Kuvend, e as për t’ia zgjatur pushtetin Albin Kurtit.
Shmangia e zgjedhjeve të reja, sipas saj, s’mund të jetë arsye që deputetët të votojnë një marrëveshje “që u prezantohet si fakt i kryer”.
Një ditë më parë, deputeti i LDK-së, Avdullah Hoti, po ashtu publikisht tha se është kundër Sejdiut, duke thënë se ai nuk pasqyron interesat parimore dhe politike të LDK-së. (A2 Televizion)