Një ish-kryeministër i Izraelit e ka cilësuar sulmin e Benjamin Netanyahut ndaj kryeministrit britanik Keir Starmer "skandaloz".
Sipas mediave të huaja, Ehud Olmert tha se ishte "absurditet i plotë" të ngatërroheshin kritikat ndaj qasjes së qeverisë izraelite ndaj Gazës me antisemitizmin.
"Është një fyerje për njerëzit e arsyeshëm edhe të sugjerosh që kur dikush nuk pajtohet me Netanyahun dhe me politikat e tij të tmerrshme... atëherë ai është antisemit”, tha ai, shkruan A2 CNN.
"Shumica e izraelitëve e kritikojnë qeverinë izraelite në të njëjtën mënyrë dhe me të njëjtën gjuhë”, vijoi ai më tej.
"Prandaj, ju lutem i thoni kryeministrit tuaj se ai është në shoqëri të mirë - me njerëz që kujdesen për vlerat njerëzore dhe që janë kundër politikave të Netanyahut dhe grupit të banditëve që janë pjesë e kabinetit të tij", tha më tej ish-kryeministri.
Vazhdimi i luftës "nuk është i justifikuar" dhe "shumica e izraelitëve në këtë pikë janë kundër vazhdimit të luftës".
"Ka shumë zëra si i imi në Izrael që kundërshtojnë zgjerimin e kësaj lufte, pikërisht sepse nuk duam të vrasim njerëz të papërfshirë midis palestinezëve", tha ai.
Qeveria izraelite "nuk po bën përpjekje të mjaftueshme" për të ofruar ndihmë, shtoi ai, shkruan A2 CNN.
"Është detyrë e qeverisë izraelite dhe ushtrisë izraelite ta sigurojnë atë", përfundoi ish-kryeministri. (A2 Televizion)