“Është mrekulli që jam gjallë, por po vuaj”, flet i mbijetuari i vetëm i tragjedisë së Air India

Nga A2 CNN
3 Nëntor 2025, 13:18 | Bota

“Është mrekulli që jam gjallë, por po vuaj”,

I mbijetuari i vetëm nga rrëzimi i avionit të Air India qela të vdekur 241 persona në qershor e ka përshkruar jetën e tij që nga tragjedia si një luftë të vazhdueshme dhimbjeje dhe pikëllimi.

39-vjeçari Vishwaskumar Ramesh arriti të dilte i gjallë nga rrënojat e Boeing 787 që po fluturonte për në Londër nga aeroporti i Ahmedabadit në Indinë perëndimore. Imazhet që bënë xhiron e botës në atë kohë e treguan atë duke u larguar nga vendi i rrëzimit, pothuajse i padëmtuar, ndërsa tymi i dendur ngrihej në ajër pas tij.

Duke folur për BBC-në, Ramesh tha: “Unë jam i vetmi i mbijetuar. Ende nuk mund ta besoj. Është një mrekulli.”

Megjithatë, siç shtoi ai, kjo mrekulli u shoqërua me një humbje të papërshkrueshme.

Humba vëllanë tim. Ai ishte forca ime, personi që më mbështeti gjatë gjithë këtyre viteve.

Ai përshkroi përpjekjen e tij dramatike për t’u çliruar nga ulësja e tij dhe për të shpëtuar nga rrënojat. “Po vuaj fizikisht dhe mendërisht. Kam dhimbje në këmbë, shpatull, gju dhe shpinë. Nuk po flas me askënd, madje as me gruan dhe djalin tim. Dua vetëm të jem vetëm”, tha ai.

Sipas BBC, Ramesh vuan nga çrregullimi i stresit post-traumatik dhe nuk ka marrë kujdes mjekësor që nga kthimi i tij në Britani.

Air India i ofroi 39-vjeçarit një kompensim të përkohshëm prej 21,500 paundësh, i cili u pranua, por këshilltarët e tij thonë se kjo nuk është e mjaftueshme për të përmbushur nevojat e tij të menjëhershme.

Sipas raportit paraprak të Degës Indiane të Hetimit të Aksidenteve Ajrore, furnizimi me karburant i motorëve u ndërpre disa sekonda pas ngritjes.

Hetimi për shkakun e rrëzimit është duke vazhduar, ndërsa Air India siguroi se "kujdesi për Ramesh dhe të gjitha familjet e prekura mbetet përparësi absolute". Nga 241 të vdekurit, 169 ishin shtetas indianë, 52 ishin britanikë dhe 19 persona ishin në tokë. (A2 Televizion)


A2 CNN Livestream

Latest Videos