Shuhet familja në Zaporizhia, Rusia intensifikon bombardimet, pas “telefonatës së paqes” me Trump

Nga Rosalba Bejdo
22 Mars 2025, 19:23 | Bota

Një familje prej 3 pjesëtarësh mbeti e vrarë gjatë sulmeve ruse në qytetin ukrainas të Zaporizhias, dhe 4 të tjerë humbën jetën në veri dhe lindje të vendit. Guvernatori rajonal i Zaporizhias, Ivan Fedorov bëri të ditur në mediat sociale se qyteti ishte goditur më shumë se 10 herë, me pasojë vdekjen e një 14 vjeçareje dhe prindërve të saj, dhe plagosjen e 12 të tjerëve. 

“Terrorizmi rus vazhdon të shkatërrojë familje në të gjithë Ukrainën”, tha zv.kryeministrja e parë Yulia Svyrydenko në rrjetin social X. 

Ndërkohë prokurorët në rajonin verilindor të Sumit, raportuan se forcat ruse kishin hedhur të paktën 6 bomba të telekomanduara në fshatrat e Krasnopillia, duke vrarë dy persona e duke plagosur të paktën 2 të tjerë.

Në rajonin lindor të Donjetskut, që është edhe fronti kryesor i përballjes mes forcave ruse dhe atyre ukrainase, 2 persona të tjerë humbën jetën dhe 9 u plagosën pas sulmeve të Moskës.

Sulme janë raportuar edhe në anën tjetër të kufirit. Sipas autoriteteve në qytetin rus të Rostov-on-Don, një dron ukrainas kishte goditur atin e 17 të një pallati duke lënë të plagosur dy banorë. Po ashtu në Voronezh, një tjetër rajon kufitar i Rusisë pranë Ukrainës, guvernatori njoftoi se ishin shkatërruar 10 dronë ukrainas.

Zhvillimet vijnë pasi Kremlini bëri të ditur se presidenti rus Vladimir Putin kishte pranuar një armëpushim 30 ditor sa i përket objektivëve energjetikë, në telefonatën e zhvilluar me Donald Trump. Por presidenti amerikan dështoi ta bindte Putinin për një armëpushim më të gjerë. Të dyja palët kanë shkëmbyer akuza gjatë ditëve të fundit , për minim të përpjekjeve të paqes, teksa sulmet ajrore kanë vazhduar.  (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos