
Qeveria suedeze bëri sot me dije, në një njoftim për shtyp të përkthyer në rusisht, se ka kryer ushtrime simulimi lufte, me pjesëmarrjen e Mbretit të Suedisë, Princeshës së Kurorës, forcave të armatosura dhe anëtarëve të parlamentit.
Për shtetin skandinav kjo është hera e parë që nga vitet 1990 që janë organizuar ushtrime ushtarake të kësaj shkalle me të gjitha këto organe, siç vuri në dukje qeveria.
“Këto ushtrime u kryen me iniciativën e qeverisë. Është e rëndësishme të kryhen ushtrime të përbashkëta, veçanërisht duke pasur parasysh situatën aktuale të sigurisë. Hap pas hapi dhe ushtrim pas ushtrimi, ne po forcojmë mbrojtjen dhe qëndrueshmërinë e përgjithshme të Suedisë”, tha kryeministri Ulf Kristersson.
Stërvitjet, të cilat u bazuan në një skenar që parashikonte shpalljen e luftës ose kërcënimin e luftës, kishin për qëllim “të diskutonin masat që do të merren për të ruajtur sigurinë e Suedisë” në një situatë të ngjashme në kushtet reale.
“Këto ushtrime kanë të bëjnë me trajtimin e incidenteve dhe situatave, si në nivel kombëtar ashtu edhe ndërkombëtar, që mund të ngrenë sfida ose tensione për Suedinë, për qytetarët suedezë ose për interesat suedeze”, sipas njoftimit për shtyp.
Ky paragraf u pasua nga një përkthim rusisht i deklaratës në kushtet kur vetë Rusia është kërcënimi kryesor për Suedinë, sipas agjencive të inteligjencës dhe mbrojtjes së vendit.
Stokholmi ka përshpejtuar shpenzimet e tij ushtarake që nga pushtimi i Ukrainës dhe pas anëtarësimit në NATO në vitin 2024. Ai planifikon të shpenzojë 300 miliardë korona (27 miliardë euro) gjatë 10 viteve. (A2 Televizion)