Tre në pranga në Lezhë, Policia i prish planin e atentatit, objektivi jo personazh i botës së krimit

Nga Igli Çelmeta
9 Tetor 2026, 14:55 | Kronikë

Kristian Ymeri (Shkambi), 34 vjeç dhe Vinçesk Piroli, 38 vjeç janë dy personat që shfaqen në këto pamje duke lëvizur me motor, në rrugën e vjetër “Pllanë-Lezhë”. Policia ishte vënë në ndjekje pas informacioneve se ishin të armatosur dhe se do të kryenin një atentat.

Përmes kamerave të sigurisë i kanë mbajtur në mbikëqyrje deri kur kanë ndërruar mjetit dhe kanë marrë një makinë tip Volkswagen në aksin rrugor “Gjadër-Barbullush”, ku dhe u ndaluan. Këta shtetas shoqëroheshin në automjet nga shtetasi Elden Tarja, 25 vjeç, drejtuesi i makinës akuzuar si bashkëpunëtor. Sipas policisë ai kishte detyre ti largonte nga zona ku kishin planifikuar vrasjen. Të tre rezultojnë shtetas me precedentë të shumtë penalë për krime kundër personit, brenda dhe jashtë shtetit.

Gjatë kontrollit fizik, të motomjetit dhe në banesën e shtetasit Elden Tarja dhe përreth saj, u gjetën 3 pistoleta, municion luftarak, motomjeti i dyshuar i përdorur për rastin, çelësat e të cilit iu gjetën shtetasit 34-vjeçar, Kristian Ymeri (Shkambi). Nga verifikimet rezultoi se motomjeti ishte i vjedhur në Suedi.

Burime nga hetimi bëjnë me dije se objektivi i atentatit nuk ka qenë personazh i botës së krimit. Hetimet vijojnë për zbardhjen e plotë të rastit dhe shkaqet për organizimin e atentatit të dështuar. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos